E Diel, 1 Nëntor 2026

Servet Pëllumbi: PS të tregojë alternativën qeverisëse, nuk mjaftojnë vetëm denoncimet

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje Këshillin Politik pranë kësaj force politike, ose siç njihet ndryshe me emrin grupi i të urtëve. Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli u ra dakord që diskutimet e bëra aty të mos bëhen publike. Megjithatë gazeta Panorama ka zbardhur pjesë nga diskutimet. Sipas saj, Servet Pëllumbi, në fjalën e tij ka kërkuar që PS të shpalosë tashmë epërsinë e alternativës së tyre qeverisëse. Pëllumbi ka thënë se PS nuk duhet të mjaftohet vetëm me denoncime. Në periudhën kur qeverisja ka degraduar dhe jemi vetëm një vit e gjysëm para zgjedhjeve parlamentare, akuzat për korrupsion, klientelizëm, uzurpim të pushteteve ndaj qeverisë së Berishës nuk mjaftojnë për tu bërë të besueshëm para shqiptarëve. Kjo nuk mjafton. Për një forcë politike si PS, që kërkon të vijë në pushtet, duhet treguar alternativa. Si ne do ti bëjmë gjërat më mirë, pse ne jemi ndryshe nga pala tjetër dhe çfarë do tu ofrojmë shqiptarëve në qeverisjen tonë në mënyrë të detajuar, por kryesisht për çështjet më të ndjeshme si ekonomia, punësimi dhe siguria. Vetëm kështu do rikthejmë besimin tek shqiptarët dhe do marrim votën e tyre, mësohet të ketë thënë Pëllumbi. Edhe bashkëfolësit kanë mbështetur qëndrimin e tij, ndërkohë që Rama më shumë ka dëgjuar se ka folur në këtë takim, raporton Panorama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›