Arrestohet një shtetas në Selishtë për kultivim bimësh narkotike, procedohet kryeplaku dhe specialisti i pyjeve

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Policia e Dibrës ka vijuar kontrollin intensiv të territorit, në kuadër të planit operacional anti-kanabis, të koduar “Territor i pastër”.
Pas një hetimi proaktiv është kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar i një rasti kultivimi të bimëve narkotike, në fshatin Selishtë.
Gjithashtu janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryeplaku i fshatit Selishtë dhe specialisti i pyjeve në këtë fshat.
Po ashtu, janë asgjësuar dhjetëra bimë kanabisi dhe mjete pune që shërbenin për këtë aktivitet kriminal.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, kanë intensifikuar kontrollet në terren, duke u bazuar në inteligjencën policore dhe në hetime proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv i ndjekur prej disa muajsh, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M.H., 36 vjeç, banues në fshatin Selishtë.
36-vjeçari, brenda një zone të pyllëzuar, kishte kultivuar dhjetëra bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mjete të ndryshme pune që shërbenin në këtë aktivitet kriminal.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit H.L., kryeplaku i fshatit Selishtë dhe H.K., specialisti i pyjeve në këtë fshat.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.