E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet për kontrabandë ilaçesh Bashkim Tahiri, i ati i deputetit të PS, Sajmir Tahiri

25-03-2013 / Gazeta 55

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga pak minuta më parë shtetasin Bashkim Tahiri, babai i deputetit socialist, Sajmir Tahiri, për kontrabandë medikamentesh mjekësore, me vlerë 10 mijë euro. Ndalimi i bërë ndaj tij, ka ardhur pas informacioneve të ardhura në rrugë operative për veprimtarinë e paligjshme që ushtrohej nga i ndaluari, në bashkëpunim me persona të tjerë. Ndërkohë pritet një deklaratë për shtyp nga ana e Policisë së Shtetit, për të dhënë detaje të mëtejshme rreth ndalimit të tre shtetasve mes tyre, për kontrabandë medikamentesh të cilat kanë hyrë në Shqipëri nga Italia. 


Deklarata zyrtare e policisë:

Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorisë e Policisë së Qarkut Tiranë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rispedal”, ku u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 – shtetas për konsumim të veprave penale të “Kondrabandës së mallrave që paguhet në akcizë”, “Kontrabanda e mallrave të licencuar”, “Tregtimi  dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.

Në kuadër të këtij operacioni policor, i realizuar me pjesëmarrje dhe koordinim të strukturave të Krimit Ekonomik – Financiar, Sektori i Operacioneve Speciale dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme medikamentesh të futura përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës duke ju shmangur kështu detyrimeve doganore dhe detyrimeve  tatimore.

Sot në orën 13.00’ u realizimi arrestimi në kushtet e flagrancës për  shtetasit e mëposhtëm:

-Dritan Gjiza, 27 vjeç, banues në Tiranë,

-Bashkim Tahiri, 62 vjeç, banues në Tiranë,

dhe shtetasja Nadire Taga, 63 vjec, lindur  dhe banues ne Tirane,

Pas një punë operative hetimore dhe procedurale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së shtetasve të sipër cituar për një periudhë 3-mujore hetimi, ku është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që shtetasit në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin  përmes shtetases me iniciale N.P (vjehrra e shtetasit Dritan Gjiza), e cila i siguronte në një mënyrë të jashtëligjshme në  një qendër shëndetësore në Itali.

Pas hetimit, u konkludua se shtetasi, Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimit me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri e ndodhur në afërsi të Q.S.U.T. në Tiranë.

Në momentin e arrestimit të 3 – shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, ku u gjenden dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi si: sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, ku vlera e tyre arrin në mbi 10 mijë euro.

Nga hetimet e kryera u konkludua se shtetasit e lartpërmendur këtë aktivitetet të kundraligjshëm e kryenin duke bashkëpunuar me njëri tjetrin prej 1 viti, me synim tregtimin e mallrave kontrabandë për t’ju shmangur detyrimeve doganore e tatimore.

Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të mëtejshme ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm, për konsumim të veprave penale të mësipërme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›