E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatja e Ramës në Elbasan, Evis Kushi ka firmosur peticionin e intelektualëve për votimin e 3 ligjeve të statusit

25-03-2013 / Gazeta 55

-- Rama për firmëtarët e peticionit midis tyre edhe Evis Kushi: “Specie të laboratorit komunist”


-- Reagimi/Evis Kushi: Firmosa fare sinqerisht mbi një letër të bardhë, më thanë se ishte nismë jo politike


Intelektualët dhe personalitetet shqiptarë që firmosën peticionin drejtuar kreut të PS, për miratimin e 3 ligjeve të statusit në vlerësimin e Edi Ramës, ishin “specie të laboratorit komunist”. Ky reagim i tij ka ardhur menjëherë pas inicimit të peticionit nga elita shqiptare. “Specia e intelektualit që pozicionohet "pro" qeverisë dhe kundër opozitës është krijuar në laboratorin e Enver Hoxhës. Ndjej keqardhje dhe një lloj dhembshurie njerëzore për këta njerëz që në vitin 2013, në një Shqipëri të lirë, ndonëse jo demokratike, firmosin peticione kundër opozitës”- do të deklaronte Rama, në përgjigje të peticionit që çdo ditë e më tepër thithte mbështetjen e personaliteteve më të rëndësishëm të vendit.


Por, fati e deshi që midis 1069 përfaqësuesve të elitës që nënshkruan peticionin, të ishte edhe kandidatja për deputete nga radhët e PS, në Elbasan, Evis Kushi. Dekania e Ekonomikut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” me firmën e saj, i ka kërkuar kreut të PS, Edi Rama të mos bllokojë ëndrrën e shqiptarëve, por të votojë 3 ligjet e statusit. Dhe deri këtu e gjithë e drejta është në anën e saj. Thyerja ndodh së pari, në etiketimin e elitës nga Edi Rama si "specie të laboratorit komunist" dhe së dyti, ajo që të ngjall neveri, është reagimi i znj.Kushi e cila pranon se ka hedhur firmën, por jo për peticionin... Sipas saj, në ambientet e universitetit i kanë ofruar një copë letër të bardhë (!) dhe i kanë kërkuar të hedhë firmën, për një nismë jopolitike... Një justifikim ky krejtësisht banal, edhe pse nuk e shpëton atë kurrsesi nga përgjegjësia morale, sesi mund të transformohet drejt banalitetit një përfaqësues i botës akademike dhe të guxojë të shkojë deri aty sa të cilësojë “sipërmarrje politike” një nismë të pavarur të elitës intelektuale, për një të ardhme më të mirë të qytetarëve shqiptarë në rrugën drejt integrimit europian. Ajo sot militon në radhët e Partisë Socialiste dhe kjo s’duhet t’i heqë asnjë presje angazhim të saj si promotore e vlerave të integrimit europian, zhvillimit të Shqipërisë dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, për të qenë më pranë familjes së madhe europiane. Dhe të mendosh që sot Shqipëria është pa statusin e integrimit, thjesht e vetëm për shkak të 3 ligjeve që nuk voton Partia Socialiste. Do ishte më e udhës dhe më e pranueshme që pedagogia e ekonomikut të pranojë autencitetin e firmës së saj në peticion dhe të shprehet se, integrimi i Shqipërisë është çështje mbipartiake dhe aspak e ndikueshme nga preferencat personale ndaj liderëve; si dhe njëherazi ti bëjë thirrje Edi Ramës, kryetarit të saj, që të kërkojë ndjesë publike për akuzat ndaj intelektualëve. 


-- Evis Kushi: Firmosa fare sinqerisht mbi një letër të bardhë, më thanë se ishte nismë jo politike


Kandidatja për deputete e PS-së, Evis Kushi, e cila u prezantua nga vetë kryesocialisti Rama një ditë më parë, reagoi sot ndaj deklaratave të kryeparlamentares Topalli lidhur me firmën e saj në peticionin drejtuar kryesocialistit për votimin e 3 ligjeve. “Kam firmosur fare sinqerisht mbi një letër të bardhë pasi m’u tha se ishte fjala për një nisëm jopolitike, ku kërkohej bashkëpunimi i të gjitha forcave politike në funksion të integrimit. Por, fatkeqësisht, ajo nisëm s’ishte aspak jopolitike dhe aspak në frymën e bashkëpunimit që u tha se bota akademike ia kërkonte politikës për të mirën e vendit. Përkundrazi, ishte pjesë e atij politizimi të skajshëm që po e rrënon nga themelet botën akademike duke e kthyer universitetin në një hapësirë asfiksuese për lirinë e të menduarit. Ky politizim skandaloz në dhunim të lirisë akademike është një nga shumë arsyet që më nxitën t’i them “Po!” ftesës Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Sot, duke dëgjuar mirëserardhjen e vrazhdë në politikë që më rezervoi kryetarja e Kuvendit, ndjehem edhe më e motivuar se dje për të luftuar në gjirin e skuadrës për rilindjen e Elbasanit e të gjithë Shqipërisë. Më tej, Kushi akuzoi kryetaren e Kuvendit, Topalli se po kërkon të bëjë një politikë kundër një gruaje që sapo ka hyrë në politikë, duke shtuar se ku politizim i skajshëm, duke përfshirë edhe botën akademike, e shtyu atë që të pranonte ftesën e Ramës. “Dua ta falenderoj publikisht kryetaren e kuvendit që më dha mundësinë të shpjegoj në publik njërën nga shumë arsyet që më shtynë drejt përfshirjes në betejën opozitare të Partisë Socialiste. Duke dashur të bëjë politikë kundër një gruaje të sapofutur në politikë, kryetarja e Kuvendit solli sot në vëmendjen e publikut historinë e një firme që unë kam hedhur në mirëbesim, njësoj si edhe kolegë të tjerë në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit”- thotë ajo.


-- Firma e Evis Kushit në peticionin e elitës shqiptare drejtuar Ramës


Tjetër bllof i kryesocialistit me kandidaturat për deputetë. Evis Kushi, dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, është një nga 1000 intelektualët dhe personalitetet shqiptare, që kanë firmosur letrën drejtuar z. Rama për votimin e 3 ligjeve. Këtë fakt e shfrytëzoi sot kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila informoi deputetët socialistë se, kandidatja më e re e Ramës ka firmosur peticionin për votimin e ligjeve të statusit të vendit kandidat në BE. Sipas saj, Evis Kushi është kundër politikës bllokuese të Edi Ramës. Këtu ajo ngacmoi dhe grupin parlamentar socialist, duke iu drejtuar se, 3 ligjet do miratohen kur të jetë në parlament Evis Kushi dhe jo ata. “Prej një muaji në Kuvend ndodhet një letër e intelektualëve drejtuar Ramës për 3 ligjet. Madje, në këtë peticion është dhe emri i Evis Kushit si firmëtare. Evis Kushi, e cila u prezantua nga Rama si kandidate për deputete në Elbasan, është kundër tij për 3 ligjet. Evis Kushi kërkon votimin e 3 ligjeve nga Rama. Do vijë Evis Kushi dhe do t’i votojë 3 ligjet, por ju s’do jeni në parlament”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›