Arrestohet për pedofili vëllai i kryeplakut
E mitura denoncon 33 vjeçarin, e mashtroi dhe e përdhunoi në banesë
Korçë/Rastet për pedofili duket se janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, pasi një tjetër ngjarje është shënuar ditën e djeshme në qytetin e Korçës ku një 33 vjeçar ka mashtruar, e më pas përdhunuar një 15 vjeçare. Sipas të dhënave të policisë vajza e mitur e ka denoncuar për përdhunim pronarin e një lokali, të njohur si kontingjent krimesh, i cili ishte pikërisht vëllai i kryeplakut të fshati Dersnik në qytetin verilindor. Orët e vona të së enjtes, në qytetin e Korçës, policia njoftoi se ka prangosur të dyshuarin Emiljan Dine, 33 vjeç, banues në fshatin Dërsnik të këtij rrethi dhe i dënuar më parë për veprën penale prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake. Dine është njëkohësisht edhe vëllai i kryeplakut të fshatit, ky i shpallur në kërkim prej disa muajsh për tentativë vrasje nga policia.
Denoncimi
Denoncimi është bërë në orët e pasdites dhe menjëherë Patrullat e Përgjithshme janë vënë në lëvizje, duke ushtruar fillimisht kontroll në lokalin që Dine kishte në bashkëpronësi me një tjetër person. Vajza ka dëshmuar se 33-vjeçari ka abuzuar me të në banesën e tij dhe kërcënuar të mos tregonte. Si në lokal, ashtu edhe në banesën ku u kap i dyshuari, policia gjeti armë, municion dhe një sasi droge, duke ia bashkangjitur akuzës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura. Dine ka mohuar akuzën, duke e quajtur sajesë të së miturës, ndërsa këmbënguli se e kishte të dashur. Por burime policore thanë se fakti që vajza është vetëm 15-vjeçare mjafton për ta nxjerrë para gjykatës të dyshuarin me këtë akuzë, përveç veprave të tjera penale si armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Precedenti
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Emiljano Dine, në lagjen nr. 10, u gjetën dhe sekuestruan si prova, 60 fishekë, një silenciator, armë zjarri, një krehër pistolete, 2 thika, 6 pasqyra automjeti që dyshohen të vjedhura. Kurse në lokalin në lagjen nr. 9, që e kishte në bashkëpronësi me një shok, iu gjetën 15,4 gramë lëndë e dyshuar si kanabis sativa. Në pranga u vu edhe bashkëpronari i lokalit, Shkëlzen Alibashi, 28 vjeç, banues në fshatin Vinçan, për akuzën e prodhimit e mbajtjes së lëndëve narkotike.