Arrestohet themeluesi i Telegram, Pavel Durov u ndalua në një aeroport pranë Parisit

Pavel Durov, miliarderi ruso-francez, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i aplikacionit të mesazheve Telegram, u arrestua në aeroportin Lë Burzhe në veri të kryeqytetit francez të shtunën në mbrëmje. Durov kishte mbërritur nga Azerbajxhani dhe u ndalua sapo zbriti nga avioni i tij privat. OFMIN, një zyrë e specializuar me parandalimin e dhunës ndaj të miturve në Francë kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij lidhur me një hetim paraprak për vepra të dyshuara përfshirë mashtrimin, trafikun e drogës, bullizmin kibernetik, krimin e organizuar dhe promovimin e terrorizmit, tha një burim për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Durov akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime për të frenuar përdorimin kriminal të platformës së tij. “Mjaft me mosndëshkimin e Telegramit” – tha një nga hetuesit, duke shtuar se ata ishin të befasuar që Durov erdhi në Paris duke e ditur se ai ishte në kërkim. Telegram, me rreth një miliard përdorues është veçanërisht popullor në Rusi, Ukrainë dhe republikat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ai renditet si një nga platformat kryesore të mediave sociale pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Wechat. Durov ka lindur në Rusi dhe jeton në Dubai, ndërsa ka shtetësi të dyfishtë franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai themeloi aplikacionin në vitin 2013, ndërsa u largua nga Rusia një vit më vonë. Ministria e jashtme ruse tha se ambasada e saj në Paris po sqaron situatën dhe u bëri thirrje organizatave joqeveritare perëndimore që të kërkojnë lirimin e tij.
Rusia bllokoi Telegramin në vitin 2018 pasi Durov refuzoi të zbatonte një urdhër të gjykatës për t’i dhënë shërbimeve të sigurisë shtetërore akses në mesazhet e koduara të përdoruesve të tij. Urdhri i ndalimit asokohe shkaktoi protesta masive në Moskë, por u anulua në vitin 2021.
Popullariteti në rritje i Telegramit ka nxitur nisjen e hetimeve nga disa vende në Evropë, përfshirë Francën pas shqetësimeve të sigurisë dhe shkeljeve lidhur me aplikancionin e mesazheve. Për ndalimin e Durov reagoi edhe Ilon Mask, pronar i platformës së mediave sociale X duke kërkuar lirimin e tij. Disa blogerë rusë bënë thirrje për protesta në ambasadat franceze në të gjithë botën kundër ndalimit të 39-vjeçarit.
/RTSH/