Lufta në Ukrainë – Sulmohet hoteli ku qëndronte ekipi i Reuters, një gazetar i zhdukur, dy të tjerë janë plagosur

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka bërë me dije se një nga gazetarët e saj që mbulonte luftën në Ukrainë është shpallur i zhdukur, pas një sulmi ajror rus në një hotel në lindje të vendit.
Në një deklaratë, “Reuters” u shpreh se një ekip i tij, i përbërë nga gjashtë persona, ishin duke qëndruar në hotelin e quajtur “Safir” në Kramatorks, një qytet në kontrollin e forcave të Kievit, por jo larg nga vija e frontit në lindje të Ukrainës, i cili u godit nga një raketë mbrëmjen e së shtunës.
Dy nga pjesëtarët e grupit të gazetarëve ishin dërguar në spital, për tre të tjerë dihej vendndodhja, ndërsa po kërkohen informacione për vendndodhjen e personit të gjashtit.
Agjencia e lajmeve gjithashtu publikoi pamje ku dukeshin rrënojat e hotelit dhe ku forcat zjarrfikëse vijonin kërkimet në to. Qyteti i Kramatorks ndodhet vetëm 20 kilometra nga pjesët e Ukrainës që janë të pushtuara nga rusët dhe prej kohësh është bërë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve të forcave të Moskës, ku janë vrarë dhe civilë, mes të cilëve edhe shkrimtarja e njohur ukrainase, Victoria Amelina.
/rtsh.al/