E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet vrasësi i tranvestitit. Policia: Me probleme mendore

TIRANE- Një ditë pas vrasjes makabre me thikë në fyt të homoseksualit Petrit Muça, policia ka identifikuar dhe ka arrestuar autorin e krimit të rëndë dje në orët e vona të mbrëmjes. Ai është Sefedin Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Dragash i Kosovës, ndërsa policia dyshon se ai është person me probleme mendore, ndërsa ende nuk është e qartë nëse autori e ka kryer krimin për motive homofobie apo për shkak tjetër. Arrestimi i tij është pohuar për gazetën "Shekulli", nga burime të Zyrës së Hetimit të Vrasjeve të cilët pohuan se zbulimi i autorësisë dhe arrestimi është kryer nga Komisariati i Policisë nr.1 në kryeqytet.
Të njëjtat burime pohuan se arrestimi i 36 vjeçarit Kosovar është kryer në momentet që ai po përgatitej të nisej në drejtim të Kosovës, për t'i shpëtuar arrestimit të policisë shqiptare për krimin e kryer një natë përpara arrestimit. Dyshimet e policisë mbi këtë person kanë rënë për shkak se nga dëshmitë e marra personave të tjerë që shoqëroheshin me viktimën ai ishte i fundit që ishte parë të qëndronte me Petrit Muçën. Autori i krimit mësohet se është kërkuar nga efektivët e policisë gjatë gjithë natës së të shtunës duke u gdhirë dita e djeshme. Kjo pasi sipas hetuesve ai ishte i vetmi person që mungonte në grupin e atyre që shoqëroheshin me viktimën.
Kërkimet kanë vazhduar gjatë gjithë natës dhe në komisariat dhe në drejtorinë e Policisë janë shoqëruar të gjithë personat që sipas burimeve merren me ushtrim prostitucioni në zonën pranë Pallatit të Kulturës. Pasditen e djeshme policia ka shoqëruar Sefedin Hoxhën në cilësinë e personit të dyshuar ndërsa rreth mesnatës së djeshme ai është arrestuar nga policia me akuzën e vrasjes. Burimet pohuan se ai vetë ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa në rroba i janë gjetur mbetje biologjike si gjak që mendohet se i përket viktimës, si dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim. Ekspertët kanë administruar edhe gjurmët e duarve të tij, për të kryer krahasimet e tjera të nevojshme. Rreth mesnatës së djeshme duke gdhirë dita e sotme oficerët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve i kanë komunikuar të dyshuarit edhe arrestimin me akuzën e vrasjes.

20 shtator

Tranvestitit i pritet fyti me thikë, dyshohet tutori

Krimi makabër ka ndodhur në orët e vona të natës, policia në kërkim të tranvestitëve të tjerë për t'i marrë në pyetje


TIRANË- Një krim makabër ka tronditur mbrëmjen e djeshme kryeqytetin teksa një tranvestit është vrarë në mënyrë barbare vetëm pak metra larg godinës së KKRT. Policia ka zbuluar trupin e pa jetë rreth orës 20.45 të mbrëmjes së djeshme në një rrugicë të errët. Burimet nga vendi i ngjarjes pohuan se kalimtarët e rastit kanë parë trupin e pa jetë dhe menjëherë kanë njoftuar policinë.

Hetuesit që kanë shkuar pak minuta më pas në vendin e ngjarjes pohuan fillimisht se ishte vrarë një femër por pak minuta më pas deklaruan se bëhej fjalë për një tranvestit. "Viktima është një mashkull që mendohet se quhet Petrit por ende nuk është bërë identifikimi i plotë i tij. Ai nuk kishte dokumente me vete dhe nga ana jonë nuk është element i skeduar. Ai njihet në rrethet e homoseksualëve dhe tranvestitëve me emrin Kristina. Këto janë të dhëna paraprake dhe për momentin nuk mund të themi asgjë tjetër",- thanë mesnatën e djeshme burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, viktimës i është prerë fyti dhe ka vdekur si pasojë e humbjes së madhe të gjakut. Hetuesit kanë kërkuar për thikën në vendin e ngjarjes por pa mundur ta gjejnë atë.

Dyshimet e para janë se vrasja mund të jetë kryer për motive konkurrence nga tranvestitët e tjerë. Hetuesit janë vënë në kërkim të tranvestitëve që gjenden zakonisht në atë zonë por askush prej tyre nuk ndodhej aty. Patrulla policie janë shpërndarë në të gjithë zonën duke kërkuar për tranvestitët dhe prostitutat. Hetuesit pohuan se kanë një të dyshuar por pa bërë publik emrin. Ndërkohë, një pistë tjetër është se vrasja mund të jetë kryer nga ndonjë homofob që mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale me viktimën përpara vrasjes.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›