Pranimi i studentëve, rektori Shaska padi ndaj ministrit Tafaj
TIRANË- Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska ka reaguar ashpër ndaj urdhrit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj për të pranuar në universitet të gjithë ata kandidatë që janë shpallur fitues nga APRIAL-i. Reagimi vjen në forumin e Shekulli Online, ku Shaska iu përgjigjet komentuesve të kësaj faqeje me fjalët: MASH po e shkel ligjin me të dyja këmbët, ne do ti drejtohemi Gjykatës së Lartë, madje edhe Strasburgut.
Sipas tij, ligji përcakton qartë se universitetet kanë të drejtë të vendosin kritere shtesë për pranimin e studentëve dhe senati pikërisht këtë ka bërë. Ka vendosur si kriter notën mesatare. Që do të thotë të gjithë ata kandidatë për student që iu ka dalë emri si fitues në Universitetin e Vlorës por nota mesatare e tyre është 6- e poshtë, të mos pranohen.
Me anë të një shkrese, Universiteti i Vlorës ka njoftuar Ministrinë e Arsimit që në Maj të këtij viti, për këtë vendim të senatit. Ministria e Arsimit, siç pretendon rektori, nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë. Studentët pasi janë njohur mbi vendimin, kanë protestuar në universitet por edhe në Ministrinë e Arsimit. Ministri i ri, Myqerem Tafaj, shkresën e parë që ka firmosur si titullar i këtij dikasteri ka qenë pikërisht ajo për pranimin në universitet të të gjithë studentëve që kanë dalë fitues nga APPRIAL-i. Nuk janë pak, por afro 3 mijë vetë që janë shpallur fitues por që mesatarja e tyre është me pak se 6-të.
Por universiteti ngulmon, madje rektori Shaska në reagimin e tij në websitin e shekullit shprehet "MASH duhet te zgjedhe midis mediokritetit dhe cilësisë. Universiteti i Vlorës ka zgjedhur cilësinë dhe askush nuk do të pranohet në Vlore pa mesataren 6-të". Shaska gjithashtu thotë se çështje nuk ka përfunduar këtu: "Ne jemi gati të shkojmë në gjyq, ne gjykatën e Lartë, madje edhe në Strasburg. Ky është cënim i autonomisë akademike të universiteteve dhe ne këtë do t'a mbrojmë me çdo rrugë të mundshme civile dhe ligjore", përfundon rektori.
Reagimi në linkun: http://www.shekulli.com.al/2009/09/18/te-regjistrohen-studentet-me-mesatare-nen-6.html