E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Arrestoni Ballukun’, protestuesit thirrje edhe te Bashkia e Tiranës. Stafa: Korrupsioni, institucioni më i rëndësishëm

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, në ditën e 114-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pas largimit nga Kryeministria, protestuesit janë zhvendosur pranë Bashkisë së Tiranës dhe më pas kanë vijuar marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me flamuj kombëtarë dhe flamingo në duar.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje “Dorëheqje”, “Ju erdhi fundi”, “Arresto Ballukun”, “Arresto Ramën”, “Arresto Berishën”, ndërsa në pankarta dhe slogane janë shkruar mesazhe si “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Parlamenti i krimit”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria” dhe “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Para Kryeministrisë, gazetari Osman Stafa u shpreh se Shqipëria është “mbytur nga korrupsioni”, duke akuzuar qeverinë se paratë e qytetarëve shkojnë për projekte dhe kontrata që ai i cilësoi abuzive.

Stafa tha se pensionistët detyrohen të marrin ilaçe me borxh, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës.

“Ju qëndruat në shesh gjatë gushtit, kur të tjerët shkonin me pushime. Qëndruat në bulevard për problemet tuaja”, u shpreh ai.

Sponsorizuar

Duke iu referuar pyetjes se përse nuk shfaqet një lider i protestës, Stafa tha se liderët janë vetë protestuesit.

“Qëllimi juaj është një dhe i vetëm e qëndroni atij zotimi, ne kemi qëndresën, ata kanë oligarkët, ne kemi forcën e shqiptarit, ata kanë paratë e krimit të organizuar. Qëndroni të bashkuar. Ju po bëni historinë në Shqipëri”, tha Stafa.

Ai kritikoi gjithashtu situatën e kostos së jetesës në Tiranë, duke përmendur rritjen e qirave për studentët dhe çmimet e apartamenteve dhe ushqimeve.

“Korrupsioni është bërë institucioni më i rëndësishëm”, deklaroi Stafa.

Ai iu referua edhe shpenzimeve për projektin e Kopshtit Eden pranë Kryeministrisë, duke pretenduar se ai i ka kushtuar buxhetit 4.3 milionë euro, ndërsa akuzoi qeverinë se paratë publike janë përdorur edhe për inceneratorët dhe satelitët.m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›