Arrihet marrëveshja mes qeverisë dhe kryengritësve në Filipine
Qeveria e Filipineve dhe grupi më i madh i kryengritësve myslimanë në vend e kanë nënshkruar një pakt preliminar të paqes, me shpresën se një gjë e tillë do t’i japë fund revoltës 43 vjeçare.
Raportohet se marrëveshja është nënshkruar në pallatin presidencial në Manila, ndërmjet negociatorit të qeverisë, Marvic Leonen dhe homologut të tij nga Fronti Liberal Islamik Moro, Mohagher Iqbal.
Marrëveshja bën thirrje për krijimin e një rajoni të ri autonom, të quajtur Bangsamoro, apo komb myslimanë, në rajonin jugor të Mindanaos, deri në vitin 2016.
Gjithashtu pritet që të krijohet një Komision i Tranzicionit prej 15 anëtarësh, për ta hartuar një ligj, në bazë të së cilit do të mundësohet krijimi i një rajoni të administruar nga myslimanët.
Marrëveshja parasheh që armata kryengritëse prej 11 mijë pjesëtarëve do të çaktivizohet gradualisht.