E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, problemi i La Ligës

La Liga ka një problem serioz. Sipas mbrojtësit të Sevillës, Hedwiges Maduro gjyqtarët spanjollë bëjnë gabime të vazhdueshme që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultat. Ai ankohet se pothuajse çdo ndeshje përfundon mes polemikave për ndarjen e drejtësisë. Kurse, beson se gjyqtarët me vendimet e tyre favorizojnë skuadrat e mëdha, Barcelonën dhe Real Madridin.

Mbrojtësi i Sevillës, Hedwiges Maduro beson se ekziston problem serioz me nivelin e ndarjes së drejtësisë në La Liga këtë stinor. Reprezentuesi holandez iu bashkua klubit nga Valencia në fillim të këtij sezoni pas katër vitesh në Mestalla, kurse karrierën e filloi në Eredivisie me Ajaxin. Ai mendon se është shumë me rëndësi të përmirësohet gjykimi në Spanjë.

“Mendoj se ekziston një problem serioz, sepse në çdo ndeshje ka polemika dhe nuk e kuptoj, sepse nuk është normale”, deklaroi 27-vjeçari për Diario de Sevilla.

“Gjyqtari mund të bëjë gabime por gjëja më e keqe është kur ato janë gjithmonë vendimtare. Nëse analizoni, diçka ndodhë në çdo ndeshje. Në Malaga-Betis, ishte një gol i shënuar nga pozita jashtë loje dhe diçka e dyshimtë ndodhi edhe në duelin Real Madrid-Deportivo. Gjithmonë ka diçka. Futbollistët nganjëherë duhet të përmirësohen marrëdhëniet e tyre me gjyqtarët por janë këta të fundit ata që duhet të përmirësohen më së tepërmi dhe mendoj se duhet ta bëjnë në shumë aspekte”, shtoi ai.

Maduro përmendi edhe rastin e trajnerit Michel pas përjashtimit nga bankina për takimin kundër Barcelonës si një tjetër veprim të gabuar të gjyqtarëve këtë sezon.

“Trajneri ynë është një tjetër shembull. Ai nuk tha asgjë dhe u përjashtua. Këto janë gjëra të thjeshta dhe gjyqtarët duhet të jenë më të vëmendshëm”, theksoi ai. Maduro tha se ka dëshmi se gjyqtarët spanjollë kanë reputacion të keq jo vetëm në shtetin e tyre, por edhe në Evropë, ku gjenden prapa homologëve të tyre.

“Nuk ekzistojnë shumë gjyqtarë spanjollë që drejtojnë ndeshje në Evropë dhe kjo është një shenj. Në Holandë, për shembull, janë katër ose pesë gjyqtarë të cilët drejtojnë takime në Ligën e Kampionëve dhe Europa League. Ose edhe në Francë, është numër i njëjtë”, vazhdoi Maduro i cili beson se ekziston dallim i madh mes asaj që tolerohet në La Ligë për dallim nga ligat tjera evropiane.

“Ju gjithmonë mendoni se gjyqtarët në Spanjë nuk tolerojnë shumë gjëra. Ky është imazhi i gjyqtarëve spanjoll edhe jashtë Spanjës. Në Angli tolerohet më tepër, andaj nganjëherë është shumë vështirë”, u shpreh ai. I pyetur nëse vendimet e gjyqtarëve favorizojnë klubet e mëdha, Maduro tha se ishte i bindur se kjo qëndron.

“Besoj se favorizojnë ekipet e mëdha. Jam ndjerë kështu edhe në Valencia dhe sërish pas ndeshjes tonë këtë stinor me Barcelonën. Ka rëndësi sepse bëhet fjalë për ndikim të drejtpërdrejtë në rezultat. E kam thënë shumë herë në të kaluarën edhe kur Valencia luajti me Barcelonën ose Real Madridin”, përfundoi Maduro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›