Arrihet marrëveshje ndërkombëtare për klimën, financa për vendet e varfra, por pa premtime për të ulur lëndët djegëse fosile

Qeveritë botërore ranë dakord të shtunën (22 nëntor) për një marrëveshje kompromisi për klimën në konferencën COP30, që po zhvillohet në Brazil. Marrëveshja parashikon rritjen e financave për vendet e varfra që përballen me pasojat e ngrohjes globale, por shmang çdo referencë për lëndët djegëse fosile, të cilat janë burimi kryesor i emetimeve.
Ky kompromis u arrit pas negociatave të gjata, ku vendet u përpoqën të tregojnë unitet global në përballimin e krizës klimatike, edhe pse Shtetet e Bashkuara, emetuesi më i madh historik i gazrave serrë, refuzuan të dërgojnë një delegacion zyrtar.
“Duhet ta mbështesim marrëveshjen, sepse të paktën po shkon në drejtimin e duhur,” deklaroi komisioneri i Bashkimit Evropian për klimën, Wopke Hoekstra.
Marrëveshja e njohur si “Marrëveshja e Belemit” nis një iniciativë vullnetare për të përshpejtuar veprimin klimatik dhe u kërkon vendeve të pasura që deri në vitin 2035 të trefishojnë fondet për vendet në zhvillim, në mënyrë që ato të përshtaten me pasojat e motit ekstrem.
Shkencëtarët paralajmërojnë se angazhimet aktuale kanë ulur ndjeshëm ngrohjen e parashikuar, por nuk mjaftojnë për të mbajtur temperaturat nën kufirin kritik prej 1.5°C mbi nivelet paraindustriale. Ky prag konsiderohet si pikë kthese që mund të sjellë pasoja të rënda klimatike.
Vendet në zhvillim theksojnë se kanë nevojë urgjente për mbështetje financiare, pasi tashmë po përballen me rritjen e nivelit të detit, valë të forta të të nxehtit, thatësira, përmbytje dhe stuhi.
Marrëveshja gjithashtu hap një proces për të rishikuar mënyrën se si tregtia ndërkombëtare mund të përafrohet me objektivat klimatike, mes shqetësimeve se barrierat tregtare po pengojnë përhapjen e teknologjive të pastra.
Avinash Persaud, këshilltar i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim, e cilësoi fokusin tek financat si hap të rëndësishëm, por shtoi: “Kam frikë se bota ende nuk ka mekanizma të shpejtë për të mbështetur vendet në zhvillim për humbjet dhe dëmet. Ky është një objektiv urgjent, por i vështirë.”
Bashkimi Evropian kishte kërkuar që marrëveshja të përfshinte gjuhë të qartë për largimin nga lëndët djegëse fosile, por hasi në kundërshtim të fortë nga Grupi Arab i Kombeve, përfshirë Arabinë Saudite. Ngërçi u zgjidh pas negociatave maratonë, duke vendosur që çështja të mos përfshihej në tekstin kryesor, por të shtohej në një dokument anësor të paraqitur nga Brazili, vendi pritës i COP30./ Reuters
/rtsh.al/