Arsenal arrin fitoren e parë përballë Sitit në Premier pas tetë

Arsenal ka fituar me rezultatin 1-0 përballë Mançester Sitit në kryendeshjen e javës së tetë të Premier Ligës. Miqtë patën mundësi për të kaluar në avantazh në minutën e gjashtë të takimit, por goditja e Josko Gvardiol u largua në vijën e portës nga Deklan Rajs. Një tjetër rast të artë shënimi humbi edhe Natan Ake, i cili ballë për ballë me portierin gaboi duke goditur topin mbi portë.
Në pjesën e dytë, të dy trajnerët Mikel Arteta dhe Pep Guardiola, përmes zëvendësimeve u munduan të ndryshonin rrjedhën e ndeshjes e cila deri në momentin e golit ishte mjaft e zbehtë dhe larg pritshmërive të tifozëve.
Goli i vetëm në këtë ndeshje dhe ai i tri pikëve për Arsenalin, u shënua në minutën e 86-të nga Gabriel Martineli, i cili u aktivizua në pjesën e dytë. Ky gol I dhuroi Arsenalit gëzimin e parë në tetë vitet e fundit në “Emirates” përballë Sitit.
Me këtë fitore Arsenali rrëmben vendin e dytë në tabelë me 20 pikë, ndërsa Siti zbret në vendin e tretë me 18 pikë.