E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi, një tjetër piramidë e Sali Berishës.

Kujtim Mateli/studiues 

-Fëmijët e ndiejnë gjithnjë e më shumë  trysninë  që u vjen nga qeverisja e sotme, në radhë të parë nga drejtuesit e shkollave, por edhe nga një pjesë e personelit arsimor, trysni që u shfaqet nën presionin e pranimit të një tesere të PD-së apo dhe të partive të tjera të koalicionit qeverisës që kanë mundur të shtënë në dorë ndonjë institucion shkollor privat. Pedagogët e sotëm  i gjen me shumicë të zgjedhur nëpër forumet e  forcave  politike. Nuk kuptohet mirë se çfarë  kanë parësore këta njerëz: do të bëhen politikanë  apo do të ngjitin shkallët e karrierës në degët përkatëse ku japin  leksione. Nuk ka asgjë të keqe që individë të caktuar të jenë edhe lektorë, edhe politikanë, por kur fenomeni absolutizohet mund të ndodhë që këta individë të mos bëhen dot as politikanë, as pedagogë. Po nëse në planin politik, konkurrenca i ka nxjerrë shumë syresh jashtë loje, të njëjtën gjë kanë pësuar edhe në fushën përkatëse ku japin leksione. Por këtu, në lojë i mban politika se i duhen këta pedagogë, të cilët për të mbijetuar nëpër auditore, i servilosen politikës edhe kur ajo është në ekstremin e saj siç është rasti i qeverisjes së degraduar  të këtyre 8 viteve të fundit. Janë këta pedagogë, drejtor shkollash apo edhe mësues që mbijetojnë duke i shërbyer partisë në pushtet nëpërmjet rekrutimit që u bëjnë nxënësve dhe studentëve për t`i rreshtuar në legjionet e PD. Gjatë ciklit të arsimit 9- vjeçar jo pak raste janë evidentuar, kur nxënësve u komunikohet se qeverisja e PD ka qenë më e suksesshme se ajo e PS. Pasi është bërë përgatitja fillestare, kur arrijnë moshën, është forumi rinor i PD që interesohet për ta. Më tej, nëpër universitete, puna ka qenë më e lehtë. Përveç universiteteve shtetërorë ku trysnia e qeverisë është e dukshme, universitetet private pa licencë apo në pritje të saj, nuk i kanë bërë dot ballë, edhe kur ka qenë dëshira e mirë për të patur një Universitet jashtë trysnive të Politikës dhe sidomos të forcës qeverisëse. Po kur mendon se këto universitete kanë qenë  në një farë mënyre zyra për një punësim të dytë apo dhe të tretë të këtyre zyrtarëve të shtetit dhe të qeverisë, ndikimi i politikës ka qenë më i dukshëm dhe më i lehtë. Një sondazh i para pak kohësh nga një institucion ndërkombëtar, bërë në shkollat e arsimit 9- vjeçar,  nxori se 57 % e nxënësve lexonin, por nuk arrinin ta kuptonin përmbajtjen e asaj që kishin lexuar. Të gjithë këta nxënës janë arsimuar nën qeverisjen e Sali Berishës të këtyre 8-vjetëve dhe të ministrit të dështuar Tafaj. Kjo kategori nxënësish, të katandisur në këtë gjendje,  nuk kanë nevojë të ndjekin universitetet. Ata kanë nevojë të ndjekin një shkollë profesionale. Pas mbarimit të saj, të gjejnë një vend pune sipas arsimimit që kanë marrë. Mirëpo janë ndjekur politika arsimore që e kanë dëmtuar rëndë shoqërinë shqiptare. Në vend të këtyre shkollave profesionale janë ngritur universitete private, numri i të cilëve rrotullohet tek 100. Janë këta nxënës,  të cilët mezi kuptojnë atë çfarë është shkruar, që marrin në përfundim të këtyre universiteteve një karton diplome dhe një teserë të PD, apo të një force tjetër qeverisëse. Me këto dy dokumente i gjen shumë prej tyre të atashuar pranë këtyre forcave politike në pritje të gjetjes së një pune. Duke parë numrin e madh të tyre, partitë që na kanë qeverisur deri tani, bëjnë bilance se sa vota marrin prej tyre duke i dërguar si ushtarë pranë zyrave elektorale që kanë ngritur me shumicë në çdo bllok banimi. Injektimi tek brezi i ri i një teorie të vetme, siç ishte ajo e marksizëm-leninizmit para viteve 90-të, e dëmtoi atë brez, i cili dilte në përfundim të studimeve me një sy.  Po kaq e dëmshme është përdorimi i shkollës nga forca politike që ndodhet në pushtet për të injektuar tek nxënësit teorinë  se PD është e suksesshme dhe për ta nxjerrë më pas në mitingje për të brohoritur dështimet e saj.  Që të dyja këto teori, si ajo para viteve 90-të dhe kjo që përdor PD pas viteve 90-të, përbëjnë të njëjtën vepër penale e cila duhet të ndëshkohet. Në këtë mënyrë, është synuar  deri më sot, përjetësia e pushtetit nga ajo forcë politike që ndodhet në qeverisje. Forca politike qeverisëse në vend që t`i harxhojë energjitë e saj për zhvillimin ekonomik të vendit, merret me përjetësimin e saj në pushtet, nëpërmjet manipulimit të rinisë duke e dëmtuar atë. Këto forca politike mendojnë se të rinjtë, duke qenë të pa angazhuar politikisht, do të përqafojnë atë alternativë që do t`u serviret. Ndaj platformën e tyre politike, tashmë të dështuar e të diskretituar plotësisht, e shoqërojnë dhe me masa të tjera, siç është oferta për punësim.  Ajo që është bërë deri tani me arsimin, është një piramidë korruptive si ato të firmave piramidale të viteve 1976-1977.  Prindër që punojnë e dërgojnë fëmijët në universitete, sidomos private dhe që u kanë përfunduar me një karton diplome pa vlerë, shoqëruar me një teserë partie. PS dhe kryetari i saj z. Edi Rama, me programin e tyre të qartë për Rilindjen e Shqipërisë, janë e vetmja mundësi reale që ta drejtojë brezin e ri në udhën e duhur. Ky qorrsokak i këtyre 8- vjetëve të qeverisjes së PD, merr fund së shpejti, më 23 qershor. Të rinjtë do ta gjejnë veten e tyre në tregun e punës duke u ingranuar plotësisht në shoqërinë shqiptare, me dijet e tyre e jo me diplomat false. Nëse të rinjtë tanë, ecën në një rrugë pa krye në këto vite, kanë shansin ta gjejnë veten e tyre duke votuar PS dhe alternativën e saj të Rilindjes.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›