E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po i marrim më qafë vrasësit tanë!

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Gruaja e Lulëzim Bashës hyri në kafen ku unë rri çdo mëngjes krejt papritur me dy bodigardë pas vetes. U ndal tek tavolina e parë, la dy çakmakë dhe një fletëpalosje të PD-së, pa i pyetur shumë njerëzit që pinin kafe. Pastaj ngriti kokën të vazhdonte më tej, nuk ju duk shumë miqësore atmosfera, hodhi sytë nga bodigardët, të cilët bën kujdes ti afroheshin, dhe doli jashtë.

Ajo është një zonjë e re, me shumë fat për lekë, pasi ka punuar qysh studente tek VEFA, që ishte kompani e dajës së nënës së vet, pastaj me lekët e tyre shtyu nja 10 vite në Perëndim, bleu shtëpi, gjeti burrë, lindi fëmijë… dhe tani i kanë bërë dhe burrin kryetar Bashkie. Vjen nga një familje e majtë enveriste, nga Kurveleshi, dhe nuk e lidh asgjë me simbolet që tentonte të shpërndante në tavolina. Disa dhjetëra metra më tutje ku Bashkia po ndërton me urgjencë një rrugë të re, ka marrë me qira një klub së bashku me menaxheren e fushatës së burrit të saj dhe po përpiqen ti rrisin vlerën biznesit me investimet e Bashkisë.

Deri këtu në rregull. Por skena e hyrjes së saj në kafenenë e mëngjesit me dy bodigardë nga pas, më kujtoi debatin publik për antiplumbin e Sali Berishës dhe 50 rojet që e shoqërojnë gjithkund. Kam dëgjuar disa njerëz që thonë se përmendja e jelekut antiplumb të Sali Berishës nuk është etike, pasi nxit dhunën në shoqëri. Bile ka dhe përpjekje të thuhet që Berisha nuk e vesh më jelekun pasi ka dalë me këmishë. Nëse e sheh me kujdes këmishën e tij, pa jelek sipër, ngjan si trupi i Ferdinand Ponit, për shkak të jelekut që mbulon poshtë saj.

Por debati qëndron në faktin se çfarë i shtyn njerëzit, që kanë në rrezik kokën, të bëjnë doemos politikë dhe sidomos fushatë?

Sali Berisha është i dënuar të mos tërhiqet nga politika. Edhe nëse ai humbet, siç po shkon puna, ai do të qëndrojë në politikë, pasi ajo është aktualisht antiplumbi më i sigurt për të. Në këto dy mandate, përveç problemeve të tjera që u ka shkaktuar shqiptarëve, ai ka vrarë njerëz. Duke pasur pushtetin qëllim kryesor, dhe mbajtjen e tij me çdo kusht, ai është detyruar ti imponohet drejtësisë dhe të mbyllë dosje të mëdha krimesh siç ishte vrasja masive e Gërdecit, për shkak të biznesit që zhvillohej nën mbikëqyrjen e djalit të tij, dhe ekzekutimin makabër të katër demonstruesve më 21 janar, që u bë me vetëdije të plotë për të frikësuar shqiptarët të ngriheshin kundër tij. Për të dy këto krime i është dashur të mposhtë drejtësinë që të mos dënohet askush, dhe tashmë është nën makthin e hakmarrjes ndaj tij.

Është kjo arsyeja që ai pas 21 janarit mori me shumë seriozitet vendimin për të kandiduar Lulëzim Bashën kryetar Bashkie, për ti dhënë një imunitet më të madh dhe për ta ngulur në mënyrë afatgjate në politikë, me qëllim që të ketë politikën si një jelek antiplumb afatgjatë në këtë vend. Është kjo arsyeja që ai preku zgjedhjet e 8 majit në Tiranë dhe ia dha me dhunë mandatin, edhe pse ai nuk e fitoi. Por është kjo kryearsyeja përse ai nuk e heq jelekun. Ai e di çfarë ka bërë!

Por do të desha të kthehem dhe një herë tek skena e gruas së Lulëzim Bashës. Për rastësi të keqe për të, unë isha në tavolinë me një të afërm të një prej katër viktimave të 21 janarit, i cili për fat nuk e njohu, por mësoi më pas kush ishte ajo dhe ju prish gjaku në atë mënyrë, që mund të bënte ndonjë gjest ekstrem po ti prezantohej. Në këtë moment mendova që as dy bodigardët e saj, që i mbante më shumë për të tërhequr vëmendjen se kush po kalonte, nuk do ti bënin punë. Ajo kish ikur larg kur i xhindosuri nga vizita e saj në klub doli në rrugë të shikonte ku kish shkuar dhe mendova se ne si shoqëri po i marrim më qafë vrasësit tanë, pasi nuk po ua kujtojmë çdo ditë faktin që ata kanë vrarë.

Nëse do tua kujtojmë çdo ditë, zonja Basha, e cila ka dy vajza të vogla në shtëpi, afërsisht sa vajzat e Aleks Nikës, do mendohet pak më shumë kur të dalë në rrugë dhe akoma pak më shumë kur të bëjë sikur bën fushatë për Partinë Demokratike, një parti, e cila i duhet vetëm si jelek antiplumb për të mbuluar krimet e burrit të saj. Fakti që nuk ua përmendim përditë vrasjet që kanë bërë, më shumë se sa ne, i dëmton ata, pasi mendojnë se shoqëria ua ka falur dhe ka harruar. Dhe mund të ndodhë pastaj të hyjnë në një kafe pa e ditur se njeriut që i ofrojnë simbolet e PD-së, është njeriu që burri i saj i ka vrarë djalin e vetëm të fisit. Më duket se po i marrim më qafë vrasësit tanë, duke bërë sikur kemi harruar çkanë bërë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›