Arsimi profesional, Prengezaj: Interesi i lartë. Shteti të ndihmojë në akomodimin e studentëve

Asim Prengezaj nga Shoqata kombëtare e shefave dhe kuzhinierëve shqiptarë i ka bërë thirrje shtetit që të ndihmojë në akomodimin e studentëve të arsimit profesional.
I ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare”, Prengezaj bëri me dije se interesi për arsim profesional është i lartë, por gjatë 2023-shit tregu ka pasur 45% mungesë në staf.
“Shkollat publike janë 12 tashmë në të gjithë territorin shqiptar, 30 qendra profesionale private. Interesi në pjesën e prodhimit është shumë i lartë. Ajo që çalon është gjithë zinxhiri tjetër i shërbimit të në një hoteli, recepsioni, kamarierë.
Mungojnë profesionistët se nuk e shohin si profesion.
Kjo ka ardhur nga viti në vit duke u përmirësuar, por një brez që po shkollohet sot e merr stafetën pas 5-6 vitesh. Tregu këtë vit ka pasur 45% mungesa në zyrën tonë, për kërkesat që na vijnë për staf. Jemi përmirësuar shumë në kulinari, këtë e kemi provuar me kupa, medalje”, tha ai.
Prengezaj renditi tri kostot me të cilat përballet një i ri që ndjek arsimin profesional. Në këtë pikë, ai i bëri thirrje shtetit që të ndihmojnë në akomodimin e studentëve, ndërsa institucionev private, duhet t’i subvencionojnë ata.
“Tre kosto ka një i ri që ndjek arsimin profesional: kostoja e arsimimit; kostoja e jetesës; kostoja e qirasë. E përkthyer në shifra është rreth 800-900 euro për muaj për studentë.
Doja të bëja një thirrje shtetit ose kompanive. Shteti mund të ndihmonte në akomodimin e këtyre studentëve, ndërsa institucionet private duhet t’i subvencionojnë këta studentë sepse është një target që do të punojë për ta nesër.
Na vijnë shumë studentë që e kanë pasion por nga mungesa financiare nuk regjistrohen. Shumë studentë nuk e dinë prirjet që kanë, nevojitet edukim për karrierë. Prindërit i edukojnë në rrugën e gabuar. Pjesa europiane ka një sistem mentorimi në shkollat profesionale”, përfundoi ai.
/rtsh.al/