Arsimi profesional, dy shkollat në Korçë bashkohen në një drejtori

Si pjesë e reformës në sistemin e arsimit profesional në vendin tonë, edhe dy shkollat e tjera profesionale “Isuf Gjata” dhe “Irakli Tërova” në qytetin e Korçës janë bashkuar në një drejtori të vetme, nën emërtimin “Shkolla Profesionale Shërbime”. Pjesë e këtij bashkimi ka qenë edhe një filial i shkollës bujqësore që ndodhet në Pogradec. Për drejtoren e kësaj shkolle Tatjana Mero, kjo reformë synon të rrisë cilësinë e arsimit profesional.
“Është një organizim më i struktura qoftë nga mënyra organizative e institucionit mënyra si do të zhvillojnë mësimin në bazë të profilit të tyre por dhe në organizimin e klasave mësimore”, tha drejtoresha e shkollës profesionale Tatjana Mero.
Këtë vit është vënë re një rritje e interesit të të rinjve për arsimin profesional, duke bërë të mundur hapjen e 5 klasave të 10-ta, por sipas Meros pritshmëritë janë të larta pasi ka ardhur koha që të rinjtë tu drejtohen profesioneve.
Këtë vit shkollor janë regjistruar pranë Shkollës Profesionale Shërbime në Korçë rreth 80 nxënës, teksa në total në të gjitha drejtimet që ofron kjo shkollë ndjekin studimet rreth 400 nxënës.
/RTSH/