E Diel, 1 Nëntor 2026

“Arsimi profesional, një nga fushat më të rëndësishme në sistemin tonë arsimor”

17-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha vizitoi shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Durrës

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje paradite shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela”, në rrethin e Durrësit.
Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit dhe stafin e kësaj shkolle për cilësinë edhe emrin e mirë që ajo ka krijuar, çka ka bërë që numri i nxënësve në këtë shkollë të shtohet me 60 për qind.
Pasi vizitoi disa prej kabineteve dhe reparteve ku nxënësit zhvillojnë praktikën mësimore, kreu i qeverisë tha se arsimi profesional është një nga fushat më të rëndësishme në sistemin tonë arsimor.
Gjithashtu, ai vlerësoi edhe kombinimin që është bërë ndërmjet shkollës së mesme dhe Universitetit të Durrësit. “Duhet të bëjmë gjithçka, tha Kryeministri, që këtë kombinim ta shtrijmë në të gjitha universitetet e tjera”. “Përshëndes qeverinë e Konfederatës Zvicerane për ndihmën bujare në një nga fushat më të rëndësishme të sistemit tonë arsimor, arsimin profesional, përshtatja e sistemit tonë arsimor me tregun e punës. ‘Swisscontact’ është një nga partnerët kryesorë të përpjekjes sonë për arsimin profesional, një përpjekje e suksesshme kjo. Kudo programet e këtyre shkollave janë një histori suksesi, por këtu në Durrës, në mënyrë të veçantë, ka një kombinim të shkëlqyer të shkollës së mesme dhe universitetit”, u shpreh ai.
Kryeministri Berisha theksoi se duhet të bëhet gjithçka për t’i tërhequr edhe më shumë nxënësit në këto shkolla, për t’i ndërgjegjësuar ata se është interesi i tyre më i mirë. “Kjo, tha Berisha, kërkon që diplomat të kenë ekuivalencën totale. Një i ri që vendos të ndjekë shkollë profesionale duhet ta dijë se diploma e tij është e barasvlershme me çdo diplomë tjetër të viteve korresponduese të shkollimit”.
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Arsimit se “duhet të bëjmë gjithçka që këtë kombinim ta shtrijmë në të gjitha universitetet e tjera. Ky kombinim, nëse do ta shtrijmë në universitete të tjera, do t’u japë atyre mundësinë të luajnë më mirë rolin e promotorëve të fuqishëm të zhvillimit rajonal. Të gjitha rajonet kanë specifikat e veta të fillimit. Ndaj të bëjmë gjithçka ta shtrijmë edhe në Korçë, në Vlorë, në Vlorë, në Shkodër, në Gjirokastër, në Peshkopi, ku edhe atje numri i studentëve po rritet dhe profili është shumë i qartë”.
Sipas tij, arsimi profesional është për ne një përparësi ndër më madhoret, për të mos thënë përparësia më kryesore, pas përpjekjeve për rritjen e cilësisë dhe përshtatjen e sistemit tonë arsimor me kushtet e tregut.
Shkolla “Beriq Çela” ka gjithsej 15 reparte për praktika profesionale, 5 reparte auto; reparti i teknikës së komandimit; reparti elektroshtëpiakut; reparti  teknikës së instalimit; reparti elektrikut mix; reparti axhusterisë; reparti saldaturës; reparti tornerisë; reparti makinave bujqësore; reparti hidraulikës; reparti instalimeve ngrohëse. Shkolla ka gjithsej 6 laboratorë dhe 6 kabinete.
Në këtë shkollë, për vitin 2013, numri total i nxënësve është 1200, duke pasur një rritje të numrit të tyre me rreth 60 për qind. Kjo shkollë bashkëpunon me 37 biznese, në të cilat nxënësit punësohen me kohë të pjesshme gjatë shkollimit dhe punësohen me kohë të plotë pas përfundimit të shkollës.
Gjithashtu, është parashikuar që programin mësimor nxënësit ta zhvillojnë 50 për qind në teori dhe 50 për qind në praktikë, sipas profileve që ndjekin.
Në rrethin e Durrësit janë dy shkolla profesionale, ku ofrohen 8 drejtime kryesore të specializuara në 32 profile të reja si: Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Shërbime mjete transporti; Termohidraulikë; Elektroteknikë; Hoteleri –Turizëm, Teknologji ushqimore; Tekstil- Konfeksion; Ekonomi-biznes, etj.
Këto shkolla profesionale kanë pasur një mbështetje të madhe edhe nga projekte të huaja: qeveria zvicerane, franceze si dhe nga Bashkimi Europian. Shkolla “Beqir Çela” është mbështetur dhe po mbështetet me financime nga qeveria e Konfederatës Zvicerane. Në periudhën 2009 – 2013 janë realizuar investime, të cilat po zbatohen nga “Sëisscontact”’, nëpërmjet projektit AlbVET dhe vlera e përgjithshme e investimeve materiale është deri tani rreth 180 000 euro.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›