E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arsimi që çon drejt punësimit – Diplomohen maturantët e shkollës Profesionale Teknike, Korçë

Në shkollën Profesionale Teknike në Korçë, maturantët kanë festuar përmbylljen e vitit shkollor me një aktivitet të veçantë, ku u vlerësua puna dhe përgatitja e tyre gjatë viteve të studimeve.

Ajo që ka më shumë rëndësi është se një pjesë e konsiderueshme e nxënësve janë tashmë të punësuar ose të vetëpunësuar, duke dëshmuar konkretisht suksesin e modelit të arsimit profesional.

“Kemi përgatitur një brez i cili besoj se e ka kuptuar se të përgatitesh nga ana profesionale do të thotë të jesh i aftë për të ndërtuar të ardhmen”, u shpreh nëndrejtoresha e shkollës, Julita Bimbli.

“Arsimi profesional është zgjedhja e kohës, është siguri, është punësim. Pa frikë mund të them se rreth 70% e nxënësve të shkollës tonë janë të punësuar”, tha nëndrejtoresha e shkollës, Pranvera Zhurka.

Vetë nxënësit ndanë përvojat e tyre pozitive, duke vënë në dukje se formimi profesional që kanë marrë në shkollë i ka ndihmuar të hyjnë me besim dhe aftësi në tregun e punës.

“Kam dy muaj që jam punësuar dhe shkolla më ka dhënë shumë”, tha një nxënës.

“Kam mbaruar elektroteknikën dhe kam dy muaj që jam i punësuar dhe i bëj thirje të rinjve të zgjedhin shkollë profesionale”, u shpreh një nxënës tjetër.

Arsimi profesional po dëshmon çdo ditë se është çelësi për një të ardhme të qëndrueshme, duke i pajisur të rinjtë me aftësi konkrete dhe mundësi reale punësimi.

Gazetare Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›