Art kafenesh, apo kafene arti
Në shumë kafene prishtinase pa dyshim se të bënë përshtypje enterieri. Në disa prej tyre, hasen edhe piktura apo shprehje tjera arti, që zakonisht qëndrojnë të varura në mure. Në kafenetë e Prishtinës, arti haset në forma të ndryshme, si pikturë, fotografi, apo edhe në formë arti të riprodukuar – i cili kushton pak.
Në kafenenë Lounge (i vogël) është vendosur një kombinim pikturash dhe fotosh. Sipas menaxherit të kafeterisë, Alban Rrahmanit, vendosja e tyre në ambient është bërë me qëllim të veçantë, për të krijuar një imazh të kafeterisë, pa u lodhur për fort për koston e tyre.
“Këtu kemi vendosur disa piktura dhe foto, në të cilat është portretizuar jeta e shqiptarëve në Egjipt. Por, kemi edhe fotografi që flasin për ditët para dhe pas pavarësisë së Kosovës, e të cilat pëlqehen nga klientët”, thekson Rrahmani.
Sipas tij, secili ambient qoftë kafene qoftë restorant duhet të përmbajë ndonjë vepër arti, ngaqë duket bukur për syrin e klientit.
Paralelisht, në muret e kafeterisë Caffe-Z, që frekuentohet mjaft nga të rinjtë, vërehen vetëm grafika, të cilat janë punuar nga artisti, Faton Dermaku, dhe ato ndërrohen kohë pas kohe. Kjo, ngase konsumatorët e kafeterisë ato edhe mund t’i blejnë.
Sipas përgjegjësit të Caffe-Z, Alban Rudi, prania e artit është një simbolikë e veçantë e çdo enterieri dhe, pa dyshim se e gjallëron atë. “Në fillim kemi pasur piktura dhe grafika të kombinuara, por me kalimin e kohës i kemi larguar pikturat, sepse grafika duket më e pranueshme për konsumatorët dhe, natyrisht, ajo i përshtatet më tepër imazhit të vetë kafeterisë sonë”, sqaron Rudi.
Ndryshe, shumica e kafeterive të tilla nuk e kanë synim marrjen e veprave artistike të autorëve të njohur. Si pasojë, ato furnizohen nga të munden, megjithëse kryesisht kërkohet lloji i artit që i përshtatet stilit të këtyre kafeterive. Disa prej tyre, madje, vërehet se kanë aplikuar një formë tjetër, më të veçantë dhe më të lirë njëkohësisht, për zbukurimin e mureve, si në rastin e kafeterisë Bamboo - e cila në çdo cep të mureve ka të vendosur foto të klientëve të vetë, duke i jetësuar kështu ato për një kohë të gjatë.
Arti, në forma të ndryshme, sigurisht se haset shpesh në ambientet e kafeneve prishtinase, megjithëse autorët kryesisht mbesin anonim. Një qasje e tillë, pastaj, sigurisht se ngre edhe çështjen e vlerës së asaj që ekspozohet, po qe se si e tillë nuk konsiderohet kombinimi i imazheve me interierët e kafeneve.