Artan Hoxha: Me kartat e identitetit të falsifikuara mund të fitohen deri në 5 mandate
Gazetari investigativ, Artan Hoxha, në emisionin e tij Xhungël ekspozoi më 28 maj fenomenin e falsifikimit të kartave të identitetit.
Ai thotë se një gjë e tillë bëhet për arsye përfitimi, por edhe për arsye elektorale.
Nga të dhënat që siguruam doli se pjesa dërrmuese e personave të pajisur me dy identitete, apo e familjeve fantazmë të krijuara posaçërisht për zgjedhjet, ishin nga zonat që njihen si bastion i mazhorancës që qeveris vendin. Bëhej fjalë për persona nga rrethet Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Has, Kukës, Bulqizë, Dibër, të cilët kishin lëvizur nga zonat e banimit drejt kryeqytetit, duke u vendosur po ashtu në njësi vendore që drejtohen nga kandidatë të djathtë. Jo më kot zona e veprimit e këtij kontingjenti, janë zona e Kamzës, Paskuqanit, Njësia 11, etj. Këto fakte besoj se nuk kanë nevojë për koment të mëtejshëm. Policia ka zbuluar në disa raste punishte ku prodhohen dokumentet e falsifikuara. Shqetësimi më i madh, nuk janë këto dokumente të falsifikuara, por kartat e identitetit apo pasaportat biometrike të prodhuara në rrugë zyrtare me identitete të rreme. Ky kontingjent përbën numrin më të madh që është njëkohësisht dhe rrezik për zgjedhjet, thotë Hoxha në një intervistë për gazetën Dita.
Ai tregon se çfarë ka ndodhur pas emisionit të tij dhe shton se gjithë kjo makineri falsifikimi ka prapavijë politike. Menjëherë pas emisionit, në ambientet e TV News-24 janë paraqitur specialistët e krimit ekonomik duke kërkuar që të marrin deklarime në lidhje me rastin e denoncuar dhe po ashtu të bëjnë sekuestrimin e kartave. Por unë nuk i kam kontaktuar atë mbrëmje pasi isha larguar nga puna shumë pak minuta para ardhjes së tyre. Më pas jam njoftuar, se ka një kallëzim penal në prokurori në lidhje me këtë rast. Unë e kam përshëndetur nismën e policisë për ta hetuar fenomenin, jo thjeshtë rastin, në emisionin pasardhës kam paraqitur të dhëna për dhjetëra familje fantazmë, të cilat ishin pajisur me dokumente të rregullta identiteti. Suksesi i operacionit policor me emrin e koduar Karta zhvilluar javën e kaluar dhe arrestimi i një personi, duket se më ka dhënë të drejtë. Por kam bindjen se policia nuk mund ta luftojë e vetme këtë fenomen, të organizuar deri në detaje dhe sigurisht me prapavijë të qartë politike, thotë Hoxha.
Sipas tij, me këtë numër kartash mund të fitohen deri në 5 deputetë.
Nëse i gjithë ky kontingjent identitetesh të dyfishta, apo identitetesh fantazmë, do të vihet në lëvizje ditën e 23 qershorit, pasojat do të jenë të pallogaritshme. Mendoni, me kaq vota mund të fitohen deri 5 mandate, që do të ishin fatale për fituesin e zgjedhjeve dhe qeverisjen e vendit. Sigurisht nga përvoja e deritanishme e zgjedhjeve, shqiptarët e kanë të qartë se kush qëndron mbas gjithë kësaj makinerie të sofistikuar dhe pse deri tani nuk është bërë e mundur parandalimi i këtij fenomeni kriminal. Kontrolli i këtij kontingjenti kriminal votuesish fantazmë, është mjaft i vështirë, pasi mungon trajnimi specifik i komisionerëve për të parandaluar çdo rast, për më tepër kur njëra palë e komisionerëve është e interesuar që ata të votojnë./ep