Artet mbyllin fazën e parë të konkurseve, rektori Bakalli: Ka akoma kuota për maturantët që nuk fituan

Maturantët që synojnë një nga programet e ofruara nga Universiteti i Arteve kanë përmbyllur këtë të premte konkurrimet.
Të emocionuar, rrëfejnë përshtypjet e tyre pas konkursit, ndërsa të tjerët qëndrojnë ende në pritje për të hedhur këtë hap të rëndësishëm.
Rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, sqaron se interesi për të marrë pjesë në konkurse ka qenë i lartë, por patjetër që trendi i kërkesave ndryshon në varësi të programeve.
“Në këtë fazë të parë kemi pasur prurje shumë të kënaqshme në varësi të programeve, por edhe prurje të cilat i lënë një hapësirë jo të vogël fazës së dytë dhe të tretë të konkurrimit të maturantëve. Mund t’ju them që nga 35 programe, vetëm njëri nuk pati konkurrentë në këtë fazë. Ndërkohë të tjerët ishin të gjithë me një numër relativisht shumë të lartë ose mesatar,” thotë rektori i Universitetit.
Konkurset e pranimit sigurojnë pjesën më të madhe të pikëve për konkurrentët dhe rezultatet parashikohen të publikohen këtë të premte.
“Brenda ditës së sotme, në Universitetin e Arteve do të jenë të shpallura të gjitha rezultatet e konkursit. Nëpërmjet jush u bëj thirrje të hapur të gjithë atyre maturantëve që nuk patën mundësinë të marrin provimet, që të shohin me vëmendje cilat nga programet mund të kenë kuota akoma për të ardhur dhe për të konkurruar në fazën e dytë,” thekson z. Bakalli.
Rezultatet përfundimtare dalin në fund të muajit gusht, kur universitetet publikojnë listën e fituesve dhe kandidatët njihen me renditjen dhe mundësitë që kanë për të fituar degën e tyre të preferuar.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/