Arti dhe protesta

Çfarë mund të bëjë arti në arenën politike? A ka ai aty ndonjë funksion? Dhe a mund të ndryshojë arti realitetin? A mund ai të jetë kritik, i dobishëm, politik? Këto dhe pyetje të ngjashme preokupojnë Artur Zmijevskin, artistin nga Polonia dhe kurator i Bienales së 7-të të Berlinit. Për të qenë sa më afër gjetjes së përgjigjeve në këto pyetje, ai ka ftuar në Berlin rreth 30 artistë ndërkombëtarë, të cilët kanë "tendenca për politikën" dhe do ta dëshmojnë këtë gjatë javëve të ardhshme ( nga 27 prilli deri më 1 qershor). Me këtë rast ata do të paraqesin pikëpamjet e tyre për gjërat, përkatësisht kritikat për kushtet e pakëndshme të kësaj bote, në mes të shoqërisë, pra në hapësira publike duke iu pozicionuar kështu në rrugë një publiku i cili ndoshta ndryshe nuk do t'i gjente asnjëherë.
Kështu, artisti polak Lukasz Suroviec qysh në vjeshtën e kaluar në vende të ndryshme në Berlin organizoi mbjelljen e mështeknave të reja. Mështeknat e mbjella në parqe dhe në hapësirat para shkollave kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me Holokaustit pasi janë sjellë nga afërsia e kampit të dikurshëm të përqendrimit Aushvitz-Bierkenau. Ato duhet të mbajnë gjallë kujtimin për krimet monstruoze të Nacionalsocializmit. Në të njëjtën kohë ato të kujtojnë një projekt tjetër të mëparshëm, peizazhin artistik '7000 lisat' të Jospeh Beuys, i cili u prezantua në vitin 1982 në kuadër të 'Documenta 7'. Për vite të tëra me mbështetjen e dhjetëra ndihmësve artisti Beuys kishte mbjellë lisa në vende të ndryshme të qytetit Kassel duke bërë kështu një ndërhyrje artistike dhe mjedisore në një hapësirë urbane me synimin për të përçuar një sinjal të qartë për urbanizimin.
Arti mund të ketë ndikim!
Ky projekt është kthyer prej kohësh në një element dominues në qytet, ai ka ndryshuar imazhin e qytetit dhe ka nxitur banorët e Kassel-it të merren me këtë çështje. Mungesa e mirëkuptimit në fillim zhdukej me çdo lis të ri që mbillej. Në këtë mënyrë mund të thuhet se arti mund të jetë kritik dhe gjithashtu të jetë politikisht i dobishëm! Ai mund të provokojë, për të stimuluar mendime, të orientojë mendimet në drejtime të reja dhe pa u vërejtur shumë të ndryshojë realitetin. Efekti i artit është zhvilluar gjatë shekujve në mënyra të ndryshme, por një qëndrim të qartë kritik ka mbajtur vetëm pas Revolucionit Francez. Atëherë u paraqiten imazhe që nuk ishin parë kurrë më parë.
Kështu spanjolli Francisco de Goya (1746-1828), provokonte me tablotë e tij në të cilat paraqiste mjerimin, varfërinë dhe luftën ashtu siç ishin, pa fshehur asgjë duke zbuluar në këtë mënyrë dobësitë e kohës së tij. Piktori francez Gustave Courbet (1819 - 1877) tronditi shoqërinë e lartë parisiane me pamjet e njerëzve të zakonshëm në punë. Dhe bashkëkombësi i tij Honoré Daumier (1808 - 1879) ndodhej shpesh në konflikt me ligjin për shkak se tallej në karikaturat e tij me jetën qytetare dhe posaçërisht drejtësinë e asaj kohe.
Qëndrimet kundërshtuese artistike
Një nga gjermanët e parë i cili ka shprehur përmes penelit të tij kritikën ndaj pushtetit, ishte Adolf Menzel, (1815-1915). Piktura e tij "Vendosja në vig e të rënëve të marsit" tregon arkivole të revolucionarëve të cilët ishin vrarë në Berlin në barrikadat e ngritura nga ushtria. Në këtë mënyrë artisti i dha një fytyrë kryengritjes, vëmendje dhe inkurajim.
Shekulli i XX-të me të metat, mizoritë dhe gabimet e tij ka provokuar gjithmonë artistët që të dalin me qëndrimet e tyre të reja kundërshtuese artistike: arti ishte antiushtarak dhe antikapitalist, ai tallej me qytetarët mendjengushtë dhe dekadencën, arti dilte kundër mizorive të fashizmit. Reagimet pastaj ishin të ndryshme: kishte raste kur përfundonin vetëm me shprehje të zemërimit, me sharje publike, me përjashtim të artistëve por edhe me denoncim dhe dëbim të tyre sidomos në kohën e nacionalsocializimit.