Arti i gurgdhendjes, Lorenc Dhimitri nga Erseka mban gjallë traditën

Arti i gurgdhendjes është një nga profesionet më të vjetra por me shumë vlera që tregon shumë për traditën e vendit tonë. Në ditët e sotme të pakët janë zanatçinjtë që ende e ushtrojnë këtë profesion, i cili dita ditës po humbet rëndësinë e tij.
Një prej tyre është Lorenc Dhimitri nga qyteti i Ersekës, i cili vetëm me çekan e daltë krijon punime artizanale.
Lorenci thotë se gdhendja e gurit kërkon shumë përkushtim e durim, pasi nuk është e lehtë për t’i dhënë atij formën e dëshiruar.
“Pasioni është gjëja më krenare që mund të arrijë njeriu. Do përkushtim të madh, sepse guri është gur. Vërtet është i bukur por po arriti të thyhet një moment, dëshpërohesh pak se është mundim”, thotë Dhimitri.
Ashtu si të tjerët ia kanë mësuar Lorencit këtë profesion, edhe ai dëshiron t’ua lerë trashëgim dy djemve të tij. Për fat të keq shprehet mjeshtri deri tani asnjëri prej tyre nuk ka mundur ta mësojë këtë zanat.
Më keqardhje Lorenci shprehet se arti i gurgdhendjes dhe shumë zanate të tjera po humbasin çdo ditë e më shumë, ndaj dhe për këtë ai ka një mesazh për të gjithë të rinjtë.
“Nësë kanë prejardhje në familje, qoftë në pikturë, skulpturë apo poçeri ta trashëgojnë”, bën thirrje ai.
Këtë zanat të vjetër, gurgdhëndësi nga qyteti i Ersekës, nuk e konsideron si një profesion që i siguron të ardhura për familjen e tij, pasi edhe kërkesat janë të pakta, por për të është tepër e rëndësishme që tradita të ruhet dhe të trashëgohet.
Gazetare: E. Fili
/RTSH/