Arti i nëntë
Shoqata e strip artistëve kosovarë ‘Xhennet Comics’ ka filluar intensifikimin e përgatitjeve për organizimin e edicionit të 8’të të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe të Karikaturës, që do të mbahet prej datës 8 deri më 11 shtator në Prizren.
Vitin e kaluar, në festivalin e shtatë të strupit dhe karikaturës, të pranishëm si mysafirë qenë njerëz të njohur të stripit botëror, si nga shtëpia botuese Sergio Bonelli me strip artistin e ‘Zagorit’ Mauro Laurenti dhe strip vizatuesen nga Japonia Kan Takahama dhe mysafirë të tjerë. Tani shoqata e strip artistëve kosovarë ‘Xhennet comics’ renditet në një ndër vendet të para në rajon për sukses të arritur.
Përmes një komunikate për media, të dërguar nga udhëheqësit e kësaj shoqate, bëhet e ditur se edhe këtë vit, ‘Xhennet Comics’, përsëri në Prizren, do të sjellë artistë të njohur të stripit dhe karikaturës botërore.
“Në ketë edicion të 8’të artdashësit do të kenë mundësi të shohin punimet e njërit prej artistëve më të famshëm të Walt Disney-t, artistin nga Franca Cent Alantar. Artisti ka punuar në filmat vizatimorë siç janë: ‘Tarzani’, ‘Atlantida’, ‘Libri i xhunglës’ ‘Herkulesi’ dhe ‘Notre dami nga Parisi’. Në ditët e festivalit përveç ekspozimit të punimeve do të ketë edhe workshop me artistët për krijimtaritë e tyre deri më sot dhe për të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Xhennet Comics.
Nga artistët e karikaturës bëhet e ditur se mysafir do të jetë artisti nga Azerbajxhani, Seyran Caferli, karikaturisti që deri më sot ka marrë më shumë se 100 shpërblime ndërkombëtare.
Në këtë edicion, nga kjo shoqatë do t’i jepet çmimi special karikaturistit të njohur nga Kosova, Agim Krasniqi – Kragi.
Nga shtëpia botuese Sergio Bonelli edhe ketë vit pritet të marrë pjesë artisti i njohur Claudio Chiaverotti, artisti që vizaton stripat si: ‘Zagori’, ‘Dampyr’, ‘Brendon’, ‘Dilan Dog’ etj. Përveç Claudios, të pranishëm do të jenë edhe dy artistë të tjerë, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur shumë shpejt.
Përveç këtyre mysafirëve, në festival do të jenë prezentë edhe artistët nga Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Kroacia.
Organizatorët e festivalit kanë menduar edhe për të vegjlit. “Për fëmijët do të ketë kënd të veçantë me tregime dhe punëtori se si vizatohet stripi, do të shfaqen filmat vizatimorë si ‘Tarzani’, ‘Atlantida’, ‘Libri i xhunglës’, ‘Herkulesi’ dhe filmat si ‘Dilan Dog’ dhe filmi i parë i ‘Zagorit’ incizuar në Turqi”, thuhet në komunikatë.
Konkursi i hapur është i dedikuar për artistët vendorë, si për ata profesional ose amator. Të gjithë ata që dëshirojnë të shfaqin performancat e tyre kanë mundësi të përfitojnë edhe bashkëpunim me artistët dhe shtëpitë botuese.
Një ndër qëllimet e organizatorëve për mbajtjen e këtij festivali është ajo që të përfitojnë lidhje dhe të krijojnë ura bashkëpunimi ndërmjet artistëve kosovarë dhe atyre botërorë.
Edicioni i 8’të i festivalit është i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Departamenti i Kulturës i Komunës së Prizrenit, Arti i Shtatë, Tri pikat etj.