E Martë, 3 Nëntor 2026

Arti i qilimave në tezgjah, artizania Hate Ora mëson vajzat të mbajnë gjallë traditën

Artizanati, është një traditë e vjetër kuksiane të cilën me shumë mund gratë dhe vajzat po e trashëgojnë brez pas brezi.

Hate Ora, ndonëse në moshën 70-vjeçare, është ndër të paktat gra artizane të spikatura që ka arritur të mbajë gjallë traditën e prodhimit artizanal të qilimave dhe sixhadeve.

Rritja e kërkesës për këto punime unike kërkon më shumë gra artizane që mund të mësojnë punimin në vek.

Artizania Hate thotë se me qëllim ruajtjen e traditës, por dhe plotësimit të numrit të punonjësve që i duhet për të përballuar kërkesën për këtë zanat ka vendosur t’ua mësojë dhe grupmoshave të reja.

“Interesi është i vogël, por jemi duke bërë maksimumin që të tërheqim sa më shumë nxënëse që t’i bëjmë punëtore të rregullta të kësaj pune, të mbajmë trashëgiminë gjallë”, shprehet ajo.

Përmes projektit të financuar nga Perspektiva të Reja synon dhe promovimin e punës së dorës për gratë kuksiane duke kthyer në një showroom për t’u vizituar dhe nga të huajt.

Për këto porosi artizaneve ju duhet të zbërthejnë  modele të vështira me figura gjeometrike dhe motive etnografike të zonës së Kukësit. Fillimisht në skicimin e një letre më pas për ta konkretizuar në sixhade apo qilima. Materialet që ajo përdor janë fijet e holla të leshit të ngjyrosur shumëngjyrësh dhe pambukut.

Hate Ora si një ndër artizanet më të vjetra në moshë por 5 dekada vite pune në këtë zanat nuk nguron të ftojë të gjitha gratë apo vajzat të cilat mund të rinisin kështu një punë dhe profesion me qellim për të krijuar qoftë biznesin e tyre apo për t’iu bashkuar grupit të  punës në ruajtjen e traditës.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›