E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti mesjetar ne Korce shtohen turistet ne muze

Vlerat e rralla të artit mesjetar që ofron Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në qytetin e Korcës kanë bërë që në 8 muajt e parë të këtij viti ky institucion të viziohet nga mbi 3800 turistë vendas dhe të huaj.
 
“Është një muze që ka zënë një vend të rëndësishëm përsa i përket edhe vizitorëve të cilët vijnë me një mendim që do të shohin vlera të vertëta artistike, fetare dhe historike që pothuajse kanë të njëjtat vlera me objektet të kësaj natyre përsa i përket perandorisë byzantine”, tha Tatiana Caca, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit mesjetar në Korçë.

Përveç grupeve turistike janë studiuesit e periudhës bizantine ata që shfaqin interes në rritje për njohjen e objekteve te ekspozuara në këtë muze, kryesisht ikona.

“Vlerat më të mëdha pothuajse i kemi identifikuar sa i takon ikonave. Kemi edhe gdhendje të tjera në gur, në dru siç janë ikonostaset. Kemi objekte në tekstil, në material të çmuar siç janë kapakër e ungjijve. Këto janë disa elementë që e bëjnë shumë atraktiv muzeun sidomos për vizitorët e huaj dhe për studiuesit e artit bizantin”, theksoi Caca.

Në arkivin e tij gjenden 7500 objekte që dëshmojnë se banorët e trevës së Korçës në shekuj kanë krijuar vlera kulturore e artistike të cilat i kanë mirëmbajtur e ruajtur dhe sot përbëjnë krenari e pasuri kombëtare.
        
Jorgjeta Gjançi                            

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›