Arti si formë e lirisë në diktaturë, ekspozitë me fokus fatin e muzikantëve në vitet 1944-1989

Si pjesë e kalendarit të aktiviteteve të programuara për festat e nëntorit, në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës u çel ekspozita informative “Arti si një formë e lirisë gjatë regjimi totalitar komunist” organizuar nga Bashkia Shkodër, Shoqata “Muzeumi i Burgut të Spaçit”, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës si dhe Komisioni Drejtësi dhe Paqe.
Ekspozita solli në fokus muzikën e ndaluar dhe fatin e muzikantëve të shtypur në periudhën 1944-1989 në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit dhe Gjermaninë lindore.
“Ai vend i cili ishte emblemë e dënimit pikërisht për bindjet për të qenë ndryshe nga ai sistem por për të qenë i njëjtë me atë që ofronte Evropa apo bota gjatë asaj kohe ishte pikërisht festivali i 11-të i RTSH në vitin 1972”, tha Pjerin Mirdita, drejtor në muzeun “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.
Për periudhën e vështirë të bërit art përgjatë totalitarizmit folën edhe disa nga muzikantët shkodranë.
“Kënga, arti dhe disa nga këto forma që disa artistë i përdorin duhet të jenë në funksion të së kaluarës”, tha kompozitori Gjon Shllaku.
Ekspozita u mbështet nga Instituti i Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë. Ajo do të qëndrojë e hapur për vizitorët për disa ditë me radhë.
/RTSH/