E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët: ”Topi të dekretojë ligjin e pastërtisë së figurës”

Autori i Lajmit: red.
“Dikur ky ligj, i njohur si ligji i bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, ndihmon sot në spastrimin tërësor të figurave, të cilat mbanin poste drejtuese gjatë viteve të regjmit komunist. Vetëm se ligji për postin e figurave duhet të jetë objektiv dhe jo me qëllime përfituese",- cilësoi Dritëro Agolli. Debati politik mbi ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, ose i njohur ndryshe si ligji i lustracionit, në pritje të dekretimit të tij nga presidenti Bamir Topi, ka përfshirë edhe artistët e gazetarët. Të vendosur para faktit, shumë prej tyre pohuan zvarritjen e këtij ligji që prej 18 vitesh është pritur me padurim, sidomos nga ata që provuan në lëkurë moralin e një shoqërie ku e kaluara vret e dënon me vdekje poetë, arsimtarë, njerëz të letrave, fjalën e lirë. Muzikanti Agim Krajka tha në një intervistë për ATSH-në se ky ligj duhet dekretuar. “Është e papranueshme që sot ka akoma njerëz në poste të larta të shtetit. Këta hapa duheshin bërë shumë më përpara, pasi bota e ka bërë këtë gjë, krimi është krim e duhet të ndëshkohet”. Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi pohoi se “Ky duhet të ishte një debat i konceptuar në vitin 91 dhe është një ligj shumë i vonuar”. “Ndarja me të kaluarën s do të bëhet më ligj, por me kalimin e kohës, sepse vendi ynë e ka vuajtur shumë më tepër”, - sqaroi ai. Piktori, arkitekti dhe shkrimtari Maks Velo, i dënuar për shijet e tij të lira estetike u shpreh se “Ky ligj nuk është i plotë, pasi s më jep mundësinë mua të kërkoj akses në dosjen time, nuk është modeli më i mirë në qoftë se do të marrim model vendet e tjera ish-komuniste. - “Unë duhet të kisha të drejtë legjitime për të parë këtë dosje, meqënëse kam marrë pafajësinë, nuk do tregohesha hakmarrës, por do të më qetësonte psikologjikisht dhe në shpirt”, - nënvizoi Velo. Shkrimtari Agim Musta, dëshmi e gjallë e terrorit komunist dhe viktimë e burgjeve të diktaturës, theksoi se “Tashmë në orët e fundit të dekretimit të ligjit të lustracionit, shohim akoma figura që drejtojnë në organet e larta të shtetit”. “Shpresoj që presidenti Bamir Topi të dekretojë ligjin, që do të bëjë të mundur spastrimin e këtyre figurave që dënuan në mënyrë makabre mijëra njerëz të pafajshëm”,- shtoi Musta. “Dua t ju kujtoj se dikur Arianit Çela u ka dhënë urdhër prokurorëve dhe gjykatësve: ligjet futini në sirtar, ndërsa veprat e Enver Hoxhës lërini mbi tavolinë”, - përfundoi shkrimtari. Lidhur me këtë çështje, Dritëro Agolli, një nga personalitetet më të shquara të letrave shqipe, është pro ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, në pritje të dekretimit të këtj ligji nga presidenti Bamir Topi. Agolli, dikur deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, dhe ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës tha se prej afro 15 vjetësh kishte shprehur mendimin e tij për hapjen e dosjeve. I njohur për letërsinë e tij si brenda ashtu edhe jashtë vendit, Agolli, 78 vjeç, tha se “dikur ky ligj, i njohur si ligji i bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, ndihmon sot në spastrimin tërësor të figurave, të cilat mbanin poste drejtuese gjatë viteve të regjmit komunist. "Vetëm se ligji për postin e figurave duhet të jetë objektiv dhe jo me qëllime përfituese", - cilësoi ai. Ligji për “Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, u miratua në Kuvendin e Shqipërisë më 22 dhjetor të vitit të kaluar.
Ky lajm është publikuar: 15/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›