E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët disidentë të Kinës: “Komunizmi ka vdekur”

27-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ndërsa autoritetet deklarojnë me mburrje se kanë arritur në shifrën e 80 milionë anëtarëve të partisë, artistët disidentë shprehen se besimi tek komunizmi ka vdekur. A po ndryshon diçka tek vendi i madh dhe i largët? Ai Weiwei është i lirë por nuk mund të japë intervista dhe nuk mund të udhëtojë jashtë shtetit. Për më tepër është në një lloj arresti shtëpie, bashkëideuesi i Folesë së Zogut, stadiumit të Olimpiadave të Pekinit, i cili u akuzua për evazion fiskal dhe që u lëshua vetëm disa ditë më parë. Artisti mund të dalë xhiro nëpër Pekin, por në të njëjtën kohë duhet të sinjalizojë për të gjitha veprimet e veta. Sipas avokatit të tij, i cili është specializuar në të drejtën humane, mosdhënia e intervistave është ilegale sepse nuk respekton konventën e OKB. Sipas disa analistëve me lirimin e kushtëzuar nuk kemi të bëjmë me një ndryshim të politikës së qeverisë kineze sepse që prej shkurtit, Kina ka bërë të heshtin rreth 130 avokatë e aktivistë dhe lirimi i Ai Weiwei është bërë sidomos me insistimin e Gjermanisë dhe Francës, vende këto që e kishin kritikuar arrestimin e tij. Por Ai Veivei nuk është artisti i vetëm që shqetëson Pekinin. Sidomos pas “pranverës arabe”, ka edhe të tjerë më pak të famshëm por që kanë paguar shtrenjtë për aktivitetin e tyre. Pak i njohur jashtë shtetit të tij, që prej marsit të kaluar Cheng Li, 57 vjeç, u dënua me një vit pune edukuese në një kamp riedukimi për “Artin Kurvë” të paraqitur në Muzeun e arteve bashkëkohore të Pekinit, në të cilën bën seks me një grua, duke dëshmuar kështu se arti dhe seksi janë e njëjta gjë: nëse e para bëhet komerciale, është pikërisht si e dyta që paguhet. Akuza e autoriteteve është kjo: “ka tërhequr shumë publik, duke shkaktuar rrëmujë dhe kaos”. Ka të tjerë (vëllezërit Gao) që paraqesin Maon në gjunjë si një i penduar, me gjoks të mëdhenj, apo teksa qëllon nga një togë ekzekutimi Jezu Krishtin. Vëllezërit Gao nuk mund të ekspozojnë në Kinë, përgjatë viteve autoritetet kanë sekuestruar të gjitha veprat e tyre duke u hequr edhe energjinë elektrike në studion e tyre. Gjithsesi vëllezërit vazhdojnë të thonë se vepra e tyre është personale dhe nuk është politike. Guo Gai nga ana tjetër tregon në veprën e tij se besimi tek komunizmi ka vdekur për faj të materializmit dhe se vendin e tij po e zë përhapja e shpejtë e besimit fetar në përgjithësi dhe i asaj të krishterë në veçanti. Edhe ky artist nuk mund të dalë dot jashtë Pekinit. Ndërsa Sun Yuan dhe Peng Yu, në veprën e tyre paraqesin një kufomë të vërtetë të një të moshuari të varrosur poshtë një shtrese akulli dhe përbri tij ndodhet edhe një fëmijë.
Vetë Kinës, kundërshtimet më të forta për jetën e artistëve kinezë po i vijnë nga Europa. Ndoshta diçka po lëviz në drejtimin e duhur. Mes shkeljeve të së drejtës humane, papritmas Kina zyrtare deklaron se do të mbështesë euron. Kjo deklaratë mbërrin pas një jave kur Bashkimi Europian po merret me krizën greke. Kryeministri kinez Ven Jiabao në deklaratën e tij është shprehur se do të mbështesë monedhën e përbashkët për një kohë të gjatë. “Kriza e defiçitit europian po zgjerohet. Ne besojmë tek Europa. Kam një besim absolut në zhvillimin ekonomik të Europës” - ka shtuar Ven Jiabao, duke pasur parasysh se rezervat në valutë ta huaj të Kinës arrijnë në 3 mijë miliardë dollarë. Dhe ka qenë shumë konkret me fjalët e tij. Ven jiabao është lideri kinez që kryen një vizitë në Hungari (nuk ndodhte prej 24 vjetësh), duke deklaruar se ka blerë një sasi titujsh bankarë të shtetit hungarez për të mbështetur ekonominë e vendit duke i dhënë edhe 1 miliard euro nga Banka e Zhvillimit të Kinës. Kryeministri Orban ka nënvizuar se “nuk kemi probleme të ngutshme financimi, por ky akord na jep më shumë siguri dhe heq çdo frikë mbi perspektivën e Hungarisë. Është një ndihmë historike që vjen nga Kina, një rrjet sigurie që na ndihmon të vazhdojmë në rrugën e zhvillimit që kemi ndërmarrë”. Më tej Orban, presidenti i radhës të BE që pas një jave do t’i lërë vendin kryeministrit të  Polonisë, ka thënë se shkëmbimet tregtare mes Budapestit dhe Kinës do të dyfishohen brenda 2015-s duke arritur shifrën e 20 miliardë dollarëve dhe se Kina do të investojë 1 miliardë dollarë në industrinë kimike të Hungarisë. Kina gjithashtu kërkon të ndërtojë një stabiliment logjistik për transportet që do të hapë edhe mijëra vende pune duke konsoliduar pozicionin strategjik të vendit. Pas Hungarisë, zyrtari i lartë po viziton Britaninë e Madhe me synimin që shkëmbimet tregtare mes Londrës dhe Pekinit brenda vitit 2015 të dyfishohen dhe të hënën do të vazhdojë udhëtimin e tij për në Berlin ku do të takojë kancelaren Merkel për të diskutuar mbi krizën e borxhit të Europës. Parashikohet që Ven, i cili konsiderohet si mbështetësi kryesori i Europës brenda Byrosë politike të Kinës, mund të lërë skenën politike brenda vitit 2013.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›