Arvizu: Humbësi do të kontestojë rezultatin
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se palët duhet të pranojnë rezultatin dhe humbësi duhet të përgëzojë fituesin.
TIRANË Kur kishin mbetur edhe 8 kuti votimi për t’u numëruar, Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u kthye sërish mbrëmë në KZAZ-në numër 49 të njësisë 5, për të ndjekur nga afër këtë proces. Ai është takuar dje me deputetë të PS-së dhe PD-së, të cilët kanë dhënë variantet e tyre për mënyrën se si po procedohej me procesin e numërimit. Më pas, Arvizu është treguar i hapur t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve lidhur me procesin e deritanishëm zgjedhor. Gjatë prononcimit për mediat, Ambasadori Arvizu i është referuar një logjike të thjeshtë, pikërisht numrit të votave të pavlefshme, të cilat në të gjitha përllogaritjet janë shumë më të mëdha sesa diferenca që do të jetë mes fituesit dhe humbësit, për të thënë se këto zgjedhje do të kontestohen nga humbësi. “Nëse unë do kisha 100 mijë dollarë, do vija bast se do kontestohej ky rezultat”, - tha Arvizu. Ambasadori amerikan u shpreh se në fund do ketë një humbës dhe fitues, por palët duhet të pranojnë rezultatin dhe humbësi duhet të përgëzojë fituesin.“... në fund, pasi të përfundojë i gjithë numërimi do kemi një fitues dhe humbës dhe shpresoj që humbësi të përgëzojë fituesin kur të ketë përfunduar ky proces, së paku kështu ndodh në Amerikë”, - nënvizoi Arvizu. Ambasadori theksoi gjithashtu se e kishte të pamundur të mos ishte dje në njësinë 5, pasi telefoni i tij nuk pushonte së rëni. Ai shtoi se, ishte për të ardhur keq që procesi i numërimit ishte bllokuar. “Është për të ardhur keq që këtu është ndërprerë numërimi. Jam përpjekur të bisedoj me të dyja palët. Kam biseduar me ekipin e Ambasadës Amerikane dhe ato të OSBE-së, kam biseduar edhe me zotin Rama. Mendoj që një nga gjërat që më habit më shumë është pavlefshmëria e shumë fletëve të votimit. Konfuzioni qëndron në këtë pikë, se palët akuzojnë njëra-tjetrën për vlefshmërinë e votave. Nëse vërtetë vihet në pikëpyetje fleta e votimit, ka mënyra të tjera për ti ngritur këto pikëpyetje dhe jo duke ndërprerë votimin. Besoj që gjithë njerëzit janë të lodhur, ndërmjet tyre më të lodhur janë monitoruesit dhe media”, - shtoi Arvizu. Ai theksoi se kjo qendër do të ketë monitorim deri në numërimin e votës së fundit. Arvizu nuk mund të jepte një përgjigje për pretendimin e PS-së, lidhur me shpalljen si të pavlefshme të atyre fletëve që kishin shenjë nga printimi, për një arsye të thjeshtë; se ai nuk është komisioner. Megjithatë, ambasadori apeloi se vota duhej të vlerësohej drejt.