E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preçi: Zgjedhjet, efekt negativ në ekonominë e vendit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 14-05-2011 11:47

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi në një intervistë për gazetën MAPO ka analizuar ngjarjet ekonomike të momentit duke theksuar se procesi zgjedhor ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë si pozitivisht dhe negativisht në ekonominë e vendit. Ai gjithashtu ka argumentuar se falja fiskale duhet shtyrë për një moment të mëvonshëm, pasi duhet një konsensus i gjerë për t’u aplikuar ky ligj i rëndësishëm. Përsa i përket draftligjit të tatimit progresiv, Preçi gjykon se përgatitja e tij tregon për eficiencë të pamjaftueshme të sistemit fiskal aktual dhe nevojën e ngutshme e në rritje për likuiditete nga ana e qeverisë.

Z. Preçi, në gjykimin tuaj, si ka ndikuar e si do të ndikojë në vazhdim gjithë procesi zgjedhor në ekonominë e vendit?

Në vlerësimin tim, procesi zgjedhor që pritet të përfundojë në pak ditë ka ndikuar dhe ndikon jo pak në ekonominë tonë kombëtare. Ky ndikim shtrihet në të dy planet: pozitive dhe negative. Ndër aspektet pozitive të këtij ndikimi mund të përmendim rritjen e shpenzimeve buxhetore në projekte të ndryshme, kryesisht në funksion të fushatës elektorale; “pompimin” e shumave të konsiderueshme të parave në ekonomi (pavarësisht origjinës së dyshimtë të një pjese jo të vogël të tyre), gjë që mendoj se i ka dhënë një nxitje rritjes së konsumit të brendshëm etj. Por nga ana tjetër, politizimi i fushatës dhe pasiguria në ruajtjen e “statusquo-së” për disa dhe frika nga ndryshimi për disa grupe apo kategori të tjera të biznesit ka bërë që të frenohen projekte të ndryshme investimi me burime private vendase. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një numër investimesh të huaja, të cilat janë në pritje të zhvillimeve politike post-zgjedhore, si dhe të vlerësimeve të pritshme të rangut të vendit në agjencitë e specializuara. Në tërësi, mendoj se zgjedhjet kanë dhënë një ndikim përgjithësisht negativ në ekonominë e vendit, pa folur për “shkrehjen” (uroj të përkohshme) të administratës shtetërore dhe përkeqësimin për këtë shkak të shërbimeve publike të ofruara prej saj për qytetarët dhe bizneset.

Duke vlerësuar nga ecuria e procesit të votimit dhe problematika e administrimit (numërimit) zgjedhor, mendoj se ndikimi i fushatës do të jetë prezent kryesisht me rishikimin dhe eventualisht edhe me shkurtimet e pritshme buxhetore dhe nevojën për rishikimin e përparësive të financimit të një numri veprash publike nga ana e qeverisë, shtyrjen në kohe të fillimit të disa të tjerave etj. Edhe kapacitetet e pamjaftueshme menaxheriale të administratës vendore që pritet të (ri)krijohet në javët e para të periudhës paszgjedhore dhe influencat politike në këtë proces nuk mund të mos japin një ndikim tjetër negativ derisa kjo administratë të fillojë të funksionojë normalisht.

Procesi i faljes fiskale ka mbetur pezull si rezultat i zgjedhjeve lokale, çfarë efektesh do të ketë, sipas jush?

Me gjithë dobinë hipotetike të faljes fiskale të miratuar me nxitim nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, ndërmarrja e kësaj niciative në një periudhe të debatit të ndezur politik, në kontekstin e fushatës zgjedhore që sapo u mbyll; politizimi i panevojshëm nga mazhoranca dhe mungesa e vullnetit të opozitës për gjetjen e kompromisit përkatës për shtrirjen dhe vetë përmbajtjen e kësaj faljeje, duket se do të mbetet thjesht një hap juridik pa ndonjë impakt serioz as në grumbullimin e shumave monetare të shpresuara në buxhetin e shtetit, as në “çlirimin” psikologjik të sipërmarrjeve private dhe qytetarëve të interesuar. Ndonëse ky ishte një problem mjaft i njohur dhe për të cilin qeveria dhe politika shqiptare në tërësi ishte shfaqur hezitante në të shkuarën, për fat të keq kjo nismë mbeti thjesht një përpjekje e mazhorancës aktuale në kuadrin e fushatës elektorale, pa arritur të shndërrohet në një instrument të fuqishëm për normalizimin e jetës ekonomike të bizneseve, rritjen e fuqisë absorbuese të tyre në kredi bankare, mundësimin e rritjes së eficiencës së mjeteve monetare në dispozicion në kohën e sotme si dhe një ndarje përfundimtare me të shkuarën problematike të një numri jo të vogël të bizneseve të vendit. Shpresoj që në një situatë më të qetë politike, situate normale për vendin qeveria dhe opozita t’i rikthehen kësaj teme me synim ezaurimin e këtij burimi në funksion të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe fuqizimin dhe konsolidimin e institucioneve themelore të ekonomisë së tregut në vend.

Ministria e Financave ka tërhequr draft-ligjin për tatimin progresiv të kompanive të mëdha. Në gjykimin tuaj si ekspert ekonomie, cila është mënyra më e mirë për të lehtësuar konsumatorët dhe të mos frustrohen investitorët?

Problemi i draft-ligjit që rikthente taksimin e përshkallëzuar mbi bazën e normës së rentabilitetit është një nismë qeveritare që mendoj se sjell në vëmendjen e debatit një numër çështjesh jo pak të rëndësishme dhe ndoshta edhe një fushë të rëndësishme për reformat fiskale në periudhat e ardhshme. Përgatitja e këtij ligji dëshmon për eficiencën e pamjaftueshme të sistemit fiskal aktual (gjë që provohet edhe nga numri shumë i madh i gjobave dhe rivlerësimeve të detyrimeve të bizneseve nga ana e administratës fiskale); nevojën e ngutshme dhe në rritje për likuiditete nga ana e qeverisë etj. Po kështu, ndjekjen e një rruge të tillë duket se e dikton edhe struktura ekonomike dhe niveli i ndryshëm i normës së fitimit në degë e sektorë të ndryshëm të ekonomisë e domosdoshmëria për të nxitur përmes instrumenteve fiskale zhvendosjen e investimeve drejt sektorëve jo shumë rentabël, por me mundësi rritjeje dhe zhvillimi. Madje një rrugë të tillë e sugjerojnë edhe studime dhe raporte të ndryshme, duke përfshirë punime serioze të ekspertëve të FMN-së etj. Natyrisht kjo nuk do të thotë se diskutimi rreth kësaj teme nuk duhet marrë si fundi i taksës së sheshtë, aq më tepër që përfituesit kryesorë të së cilës përfaqësojnë disa nga monopolet dhe oligopolet më të fuqishme të ekonomisë sonë kombëtare. Me këtë dua të them se vendosja e taksimit të përshkallëzuar nuk do të jetë e lehtë pikërisht për shkak të fuqisë së reagimit dhe kundërshtimit nga ana e këtyre të fundit, për të mos thënë se ndoshta edhe vetë tërheqja e draftit nga ana e qeverisë, përveç përpjekjes për evitimin e implikimeve negative në fushatën elektorale që u mbyll javën e shkuar, mund të jetë rezultat i ndikimit të këtyre të fundit. Gjithashtu, nuk duhet harruar edhe fakti se shkalla ende relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare dhe problematika e administrimit fiskal në nivel kompanie e bëjnë edhe më të vështirë zbatimin e një mase të tillë, e cila nuk mund të mos shoqërohet me fenomenet e evazionit fiskal në deklarimin e kompanive, presionet korruptive dhe abuzimet e administratës fiskale etj. Së fundi, çfarëdo rritjeje e shkallës së ndërhyrjes së shtetit në jetën dhe proceset e brendshme të firmave (siç është përshkallëzimi fiskal mbi bazën e normës së rentabilitetit që propozohet) rrit mundësinë për deformimin e konkurrencës në treg dhe i lejon qeverisë përdorimin e klasifikimeve të nevojshme si mjet favorizimi apo penalizimi të kategorive të caktuara të bizneseve mbi bazën e afilacionit politik të pronarëve të tyre. Ndërkaq, nuk shoh ndonjë lidhje të fortë ndërmjet përpjekjeve për tërheqjen e investimeve të huaja dhe ndryshimeve, qoftë edhe në rritje të taksës siç edhe pritej/pritet nga ndryshimi i përmendur në politikën fiskale të qeverisë. Kjo jo thjesht për faktin se në kushtet e sotme ky burim është duke e humbur rëndësinë e vet si faktor determinant në përshpejtimin e zhvillimit të vendit, por edhe sepse thithja e investimeve të huaja, siç provohet nga një numër studimesh serioze në këtë fushë, në vende si Shqipëria ka të bëjë kryesisht me qartësinë e problemeve të pronësisë mbi tokën/trojet dhe shkallën e zbatimit të detyrimeve kontraktore apo ndryshe eficiencën dhe legjitimitetin e pushtetit gjyqësor në garantimin e respektimit të këtyre detyrimeve. Në fund të fundit, argumentin se me ndryshime të tilla fiskale cenohen hyrja e investimeve të huaja, personalisht e shoh të tejkaluar nga koha, kjo edhe për faktin se janë qytetarët si përdoruesit/blerësit fundorë të mallrave dhe të shërbimeve të ofruara nga bizneset që kontribuojnë me taksat dhe se sipërmarrjet, në rastin më të mirë luajnë rolin e agjentit fiskal për llogari të qeverisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›