Arvizu: Jepuni fund privilegjeve të imunitetit. Berisha: PS të bashkëpunojë
Sot u organizua ceremonia përmbyllëse e programit Sfida e mijëvjeçarit, një financim që mbështet qeveritë në reformat që synojnë reduktimin e korrupsionit e informalitetit, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Në ceremoni ishin të pranishëm ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, kryeministri Berisha dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo.
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, duke folur në ceremoninë e përfundimit të programit Sfida e mijëvjeçarit, u shpreh se korrupsioni dobëson besimin e popullit te qeveria e tij.
Duke theksuar se eliminimi i këtij fenomeni kërkon shumë reforma, Arvizu shprehu mbështetjen amerikane në këtë luftë dhe shtoi se në Shqipëri duhet tu japë fund privilegjeve të imunitetit. Askush nuk duhet të ketë imunitet që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar. SHBA ndihmon në luftën kundër korrupsionit, por nuk duhen lejuar privilegjet e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë, tha Arvizu.
Ndërsa kryeministri Berisha e shfrytëzoi fjalën e tij për të ftuar opozitën në bashkëpunim përsa u përket reformave. Është normale që ka kundërshtime mes opozitës dhe mazhorancës, por mua më erdhi mirë që në një seminar u diskutua për të hequr imunitetin me ligj të dhe u mbështet edhe opsioni për ndryshimin e Kushtetutës. Sa i takon imunitetit qeveria është gati ta heqë, tha Berisha.
“ Ftoj opozitën, që të lërë kundërshtitë dhe të punojë me qeverinë aty ku bashkohemi. Të heqim imunitetin, jam gati por ta heqim sa më shpejt si përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë”, tha Berisha.