Arvizu: Shqiptarët të besojnë tek rezultati i zgjedhjeve

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu bashkëbisedim në “Facebook”, u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve si dhe të qytetarëve. Ai shpreh besimin e Uashingtonit se Shqipëria ka kapacitete për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që konfirmon politikën e Administratës së SHBA për mbështetjen e projektit energjetik TAP”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu nisi dje një bashkëbisedim të përmuajshëm në Facebook, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.
Nga faqja zyrtare e ambasadës së SHBA në rrjetin social, Arvizu i është përgjigjur pyetjeve të shumta, kryesisht lidhur me zhvillimet më të rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Arvizu ka thënë se sipas deklaratës së ish-sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton gjatë vizitës në Tiranë, zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira dhe demokratike, por ajo që është më e rëndësishme, sipas tij, është që “shqiptarët të besojnë në rezultatet e tyre”.
Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve të majit në vitin 2011-të, ambasadori amerikan është shprehur i bindur se “nuk është bërë asnjë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë”. Arvizu është shprehur i shqetësuar për zhvillimet më të fundit në KQZ, pasi sipas tij ka disa probleme teknike që kanë të bëjnë me politizimin e këtij institucioni.
Në lidhje me gjykimin e tij për deklaratat e liderëve, Arvizu është përgjigjur se “kjo është në dorë të vetë popullit shqiptar për të gjykuar dhe besuar ata që zgjedhin”. Ambasadori amerikan ne bashkëbisedimin ne “Facebook” tha se shqiptaret meritojnë një përgjigje, veprim dhe drejtësi për procesin e 21 janarit.
Në bashkëbisedimin e ambasadorit Arvizu, nuk munguan edhe pyetjet që lidhen me projektin e gazsjellësit, TAP. Ambasadori Arvizu u përgjigj se “Qeveria e SHBA-ve mbështet diversifikimin e burimeve energjetike në Europë”.
“Politika e Administratës për neutralitet midis TAP dhe Nabucco West nuk ka ndryshuar”.
Gjithashtu, Arvizu komentoi edhe investimet e huaja në Shqipëri, duke theksuar se vendi ka nevojë për to dhe se Shqipëria ofron mundësi të mira biznesi.
“Unë mendoj se ka akoma shumë mundësi të mira biznesi, por unë do t’i këshilloja çdo investitori që të gjente një ortak shqiptar të respektuar dhe që të bënte detyrat e shtëpisë. Mundësitë ekzistojnë këtu, por ka edhe të meta”, theksoi ambasadori amerikan.
Komunikimi on-line i Arvizu, ka zgjatur dy orë, nga ora 15 deri në orën 17.00, e ambasadori amerikan përveç pyetjeve ka shkëmbyer edhe urime e përgëzime me qytetaret qe shfrytëzuan këtë mundësi për te komunikuar me zotin Arvizu.
Ky komunikim i ambasadorit amerikan, do të jetë i përmuajshëm.
Përshëndetje zoti Arvizu, doja t’ju bëja dy pyetje. 1- Duke nisur nga polemikat e forta që opozita ka pasur ndaj vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor për ZAZ-të, por edhe diskutimet për ndarjen e mandateve, pra një situate e jo aq e qetë, a janë të garantuara zgjedhje të lira? 2- Cili është qëndrimi i SHBA lidhur me projektet e gazsjellësve TAP dhe Nabucco. Cili vlerësohet me i leverdishëm, jo vetëm në pikëpamje ekonomike, por edhe gjeopolitike?
Unë jam paksa i shqetësuar për KQZ-në. Ka pasur probleme që unë i kam perceptuar si probleme të drejtpërdrejta administrative, të cilat janë politizuar. Ky nuk është një ogur i mire për 23 Qershorin. Për sa i përket TAP-it, mendoj se jeni duke iu referuar raportit të fundit të përgatitur nga Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. Në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, dega legjislative ka përgjegjësinë dhe detyrën për të informuar Administratën mbi pozicionin e politikave të jashtme. Qeveria e SHBA mbështet diversifikimin e burimeve energjetike në Europë. Politika e Administratës për neutralitet midis TAP dhe Nabucco West nuk ka ndryshuar.
Duke qenë se jemi në një vit elektoral për Shqipërinë, lind pyetja nëse zgjedhjet e 23 qershorit manipulohen, cili do jetë qëndrimi i Amerikës?
Mendoj se Sekretarja Klinton ishte shumë e qartë kur tha se, “është e rëndësishme për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të drejta, dhe të shihen si të tilla nga e gjithë bota”. “Së pari dhe më e rëndësishmja është që shqiptarët duhet të besojnë tek rezultatet”.
Referuar vëzhgimeve tuaja, a mendoni se Shqipëria është e gatshme për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme këtë vit?
Pyetja juaj ka të bëjë me vullnetin politik. Unë nuk mund t’i përgjigjem - duhet të pyesni udhëheqësit tuaj politik.
A do t’i përveshni sërish mëngët më 23 qershor dhe a nuk është një gjë e tillë interferim në sovranitetin e Shqipërisë?
Unë nuk mendoj se veprimet e Ambasadës Amerikane në zgjedhjet lokale të Majit të vitit 2011-të, përbënë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
Në këtë fillim viti politika shqiptare është e fokusuar kryesisht tek zgjedhjet parlamentare të qershorit. Cilat do të ishin “këshillat” tuaja për aktorët politik shqiptarë në prag të fushatës së ardhshme?
Më duhet të them ato që shprehu ekzaktësisht Sekretarja e Shtetit, Klinton në vizitën e saj në Nëntor. 1) Zgjedhje të lira dhe të ndershme; 2) përmirësimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit; 3) bashkëpunim konstruktiv mes partive politike. I gjithë spektri politik duhet të punojë për interesin kombëtar të shqiptarëve.
Shqipëria ka hyrë në vitin e saj zgjedhor dhe paralelisht me afrimin e tyre po shtohen tonet patriotike- nacionaliste të udhëheqësve politikë brenda dhe jashtë parlamentit. Çfarë qëndrimi kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cili është mesazhi që Ju i përcillni faktorit politik dhe popullit shqiptar për këtë çështje?
Unë do t’i referohesha fjalimit që mbajta në 15 Dhjetor. Më lejo të nënvizoj se është shumë i vlerësuar kontributi pozitiv i Shqipërisë për stabilitetin në rajon dhe është në interesin e Shqipërisë që kjo gjë të vazhdojë.
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me arrestimin e një eksponenti të Partisë Socialiste, Kosta Barjaba në SHBA dhe ka pasur një komunikim në kanale zyrtare ndërmjet Ambasadës Amerikane dhe Partisë Socialiste në lidhje me këtë çështje?
Unë e kam marrë informacionin duke lexuar gazetën “Palo Alto Times”. Nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar midis zyrtarëve ligjorë të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Amerikane mbi këtë çështje.
Ditën që është emëruar kryeprokurori i ri e keni uruar dhe jeni shprehur se duhet të bëj “përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011”. Mund të jeni më konkretë se çfarë keni parasysh?
Kanë kaluar tashmë 2 vjet dhe shqiptaret meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi.
Nëse për një çast fuqia e imagjinatës do ta zhvendoste 21 janarin në vendin tuaj SHBA, a do të kishit bërë të njëjtën deklaratë mbi kryeministrin se ai është një burrë i vërtetë shteti?
Faleminderit për pyetjen tuaj. Kam dashur një mundësi ku të shpjegoj çështjen e “burrë shteti”. Shumë njerëz e dinë, por shumë shkurt: në një konferencë për shtyp në 25 Janar 2011 më duket, unë ju drejtova veçanërisht vendimit të Kryeministrit si “prej burri shteti” për të anuluar protestën e Partisë Demokratike në mes të asaj atmosfere aq të tensionuar. Kjo solli një mori komentesh të cilat vazhdojnë edhe sot. Shumë njerëz ishin shumë kritikues ndaj asaj që unë thashë. Kur unë shpjegova qëllimin dhe arsyet e kësaj, shumë prej këtyre kritikëve thanë – “ne përsëri nuk jemi dakord me fjalët që ju përdoret, por e kuptojmë më mirë pse thatë atë që thatë”. Disa prej këtyre kritikëve janë bërë shokë të mire dhe të besueshëm që prej asaj kohe. Sigurisht, unë e kuptoj që ka njerëz të cilët përsëri nuk janë dakord me atë që unë thashë. Por kjo është e drejta e tyre.
Gjatë seminarit “Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm për organizatat e shoqërisë civile” ju jeni shprehur se duhet një bashkëpunim më i madh mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Në perceptimin tuaj cilët janë faktorët që pengojnë këtë bashkëpunim dhe si ju duket performanca e shoqërisë civile gjatë këtyre dy viteve që ju punoni në Shqipëri?
Ka disa kampionë të vërtetë në shoqërinë civile, ashtu si ka edhe disa në shoqëri civile të cilat janë shumë të politizuara, gjë e cila pengon efektshmërinë e tyre. Sfida që shtrihet përpara nuk është për shoqërinë civile në vetvete, por një angazhim qytetar i gjerë dhe i thellë.
Lidhur me akuzat që shkëmbehen gjatë këtyre kohëve të fundit në nivel politik mes krerëve të forcave politike apo njerëzve të tyre të afërm, cili është roli që janë duke mbajtur organet hetimore apo të drejtësisë lidhur me këto akuza, të cilat shpesh mbeten për konsum mediatik dhe nuk dimë nëse janë të vërteta apo jo? Si veprohet në të tilla raste në SHBA?
Shqipëria ka një nevojë kritike për statistika dhe informacion objektiv, të saktë dhe jo të njëanshëm, pasi ato lidhen me informacion zyrtar. Burime të ardhurash, deklarata asetesh, etj.
Nëse një shtetas i huaj do t’Ju pyeste a ia vlen të vish e të investosh në Shqipëri, Ju si do t’i përgjigjeshit?
Pyetje e vështirë dhe e mirë! Shqipëria ka dëshpërimisht nevojë për investime të huaja të drejtpërdrejta, në mënyrë që ekonomia e saj të rritet. Historia e privatizimeve së fundmi ka qenë shumë e përzier. Unë mendoj se ka akoma shumë mundësi të mira biznesi, por unë do t’i këshilloja çdo investitori që të gjente një ortak shqiptar të respektuar dhe që të bënte detyrat e shtëpisë. Mundësitë ekzistojnë këtu, por ka edhe të meta. Mjedisi i biznesit/investimeve nuk është ai që duhet të jetë.
Në fjalimin e fundit Obama tha se fuqia e SHBA-ve, qëndron se qytetaret jo vetëm pranojnë mendimin ndryshe, por dhe bashkëjetojnë me të. Sa e shihni këtë koncept në shoqërinë dhe veçanërisht në politiken shqiptare?
Mund të stonoj në këtë që po them, por është akoma një mister për mua se pse klasa politike duket kaq e pa motivuar për tu ngritur përtej interesave të njëanshme dhe të punoje për të avancuar mirëqenien e shqiptarëve, dhe jo vetëm bazën e tyre politike. Shikoni shembullin e ditës së Vitit të Ri në Shtetet e Bashkuara. Kongresi Amerikan votoi ligjin e taksave pas një lufte të gjatë kompromisi. Ky ligj i la të gjithë jo të lumtur, por shume njerëz e njohën si të domosdoshëm.