Edi Rama, fol për 100 milionët e gruas, lëri shpifjet!

Vazhdon heshtja e kryetarit të opozitës për kapjen në flagrancë të gruas së tij, duke pranuar 100 milionë lekë nga një dhurues anonim. Ai po zgjat qëndrimin e tij jashtë shtetit, me shpresë se akuzat do të fashiten e s’do t’i duhet të flasë për klientët financiarë që ka trashëguar nga bashkia e që tani po u pastron paratë përmes “taktikës së dhuratave”. Për të zhurmuar akuzat, Edi Rama ka lëshuar në media një të arratisur nga drejtësia, i cili paguhet për “shpifje me normë”
Heshtja është flori. Kjo thënie popullore gjen zbërthimin e saj më kuptimplotë në heshtjen e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për 100 milionët anonimë të dhuruar bashkëshortes së tij, Lindita Rama. Në formularin e saktësimit të pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gruaja e kreut të opozitës, Lindita Rama rezulton se ka lidhur dy kontrata huaje (pra, borxh) pa interes në shifrat 30 mijë dhe 40 mijë euro nga persona të tretë. Ajo nuk ka deklaruar se kujt ia ka marrë borxh këto 100 milionë. Këto miliona anonimë nuk janë të depozituara në llogarinë rrjedhëse të saj, as janë marrë në formë transaksioni bankar, pasi përndryshe do të ishin deklaruar në formularin e pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Këto 100 milion lekë janë dhënë kesh, para të thata, në dorë bashkëshortes së Edi Ramës.
Supozimi është i qartë, Lindita Rama ka dashur të përligjë si pasuri 100 milionë lekë, me idenë se nuk do të jepte kurrë llogari për emrin e xhymertit dhurues të shumës së konsiderueshme pa interes. Thjesht, Linda Rama (ex-Xhillari) do të duhet të deklarojë në ditët në vijim për bujarët e familjes “Rama”, nëse janë këta ish klientë financiarë që bashkëshorti i saj ka trashëguar nga bashkia dhe legalizimi i parave po vjen nëpërmjet “taktikës së dhuratave”.
Gjithashtu ligji i ri për ILDKP-në e detyron këtë institucion që të hetojë pasurinë e Lindita Ramës, në lidhje me këto 100 milionë lekë që gjenden në dorë të saj. Sigurisht ligji detyron zonjën Rama që të deklarojë se cili është burimi i këtyre të ardhurave. Në ligjin e ri për ILDKP-në saktësohet se, “Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe në inspektoratet e ulëta, brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë: dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj”.
Pra, Lindita Rama e ka detyrim ligjor të deklarojë emrin dhe mbiemrin e personit të tretë, prej të cilit ka marrë hua pa interes një shumë prej afro 100 milionë lekësh. Mjerisht deri më sot, kryetari i opozitës Edi Rama hesht në mënyrë të zhurmshme për kapjen në flagrancë të gruas së tij, duke pranuar 100 milionë lekë nga një dhurues anonim. Rama po zgjat pafat qëndrimin e tij jashtë shtetit për t’u shpëtuar pyetjeve për xhymertin e 100 milionëve.
Ndërkohë për të zhurmuar akuzat, ai ka lëshuar në media një të arratisur nga drejtësia, i cili paguhet për “shpifje me normë”. Edi Rama duhet të deklarojë sa më shpejt të jetë e mundur pasurinë e tij reale. Qytetarët kanë të drejtë të njohim gjendjen financiare të kreut të opozitës, ish-ministrit të MTKRS, ish-Kryebashkiakut, i cili nga njëra anë çmend botën me kërkesat për transparencë, ndërsa në anën tjetër ai vetë nuk bën as transparencë për gjendjen e tij financiare, as për 100 milionët që janë marrë hua nga persona të tretë, që s’ka as emër e as mbiemër. Edi Rama shprehet se nuk i ka duart e pista, ndonëse vijon t’i mbajë duart në xhep, duke i fshehur.
Fakti/Një herë në 4 vjet, sa herë afron humbja, Taulant Balla përsërit e-mailin e akuzave
Partia Socialiste e marr peng prej disa vitesh nga Edi Rama, s’po di më ç’të kurdisë kundër mazhorancës, deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe familjarëve të tyre, në përpjekje për të arritur kredo elektorale dhe po u rikthehet metodave të 4 viteve më parë, të cilat për ironi të fatit i rezervuan kreut të PS, humbjen në zgjedhje. Ashtu si katër vjetet më parë, Taulant Balla është sërish në rolin e tellallit dhe megafonit të prishur, që përcjell shpifjet dhe akuzat e artikuluara dhunshëm në ngrehinën socialiste.
Të jetë rastësi fakti që, PS në prag të zgjedhjeve i rikthehet të njëjtit ritual akuzash, prej të cilave ka marrë ndëshkim elektoral?
Jo dhe aq.
Askush më mirë se Edi Rama s’e di që Partia Socialiste s’është e gatshme të vijë në pushtet, të paktën, jo për sa kohë që kryetar-uzurpator i saj, të jetë vetë Edi Rama. Dhe siç thotë një shprehje e urtë popullore, “kur s’ke ç’bën, tund derën”, akuzat dhe përbaltja ndaj mazhorancës, është e vetmja formë hakmarrëse e Ramës.
Stisja e akuzave nga më të ndryshmet ndaj familjarëve të kryeministrit, me pretendime se pasuria e tyre është e paligjshme, në një kohë kur institucionet përgjegjëse konstatojnë deklarime të rregullta dhe për më tepër, burimet e të ardhurave janë të justifikuara, tregon gjendjen dhe situatën e rëndë se, Partia Socialiste noton në moçalin e krizës së identitetit. Një forcë politike, e dyta më e votuar, në vend që të prodhojë alternativa politike dhe t’i kundërvihet mazhorancës me kundër-argumente në debate të hapura dhe publike, rreth çështjeve sensitive me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, e ka mendjen tek artikulimi i akuzave dhe përbaltjen e pjesëtarëve të familjes së kryeministrit apo dhe të ministrave.
Në kushtet e një krize të vërtetë programore, PS detyrohet të zhytet në moçalin e krizës të thelluar prej vetë saj, pa u shqetësuar për teza, ide dhe alternativa që mund të sjellin zhvillim. Kësisoj, rikthimi i vëmendjes tek të njëjtat akuza si në 2009-ën, ndaj familjarëve të kryeministrit, për të cilat Edi Rama e ka marrë njëherë përgjigjen si nga familjarët e kryeministrit ashtu edhe nga vota e qytetarëve shqiptarë, hedh dritë mbi një panoramë rrëqethëse sesi PS po e përjeton afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare. Edi Rama s’ka pikë dyshimi se edhe 2013-a do jetë viti i dështimit të tij elektoral. Ajo që i mbetet nga ky vit i brishtë për të, është padyshim kalvari i akuzave ndaj mazhorancës, deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe familjarëve të tyre.
“Shpif, shpif se diçka do mbetet”, është edhe slogani i ri elektoral i Edi Ramës, prej të cilit është i dënuar të mbetet në opozitë edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar.