E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu flet troç: Politikanët shqiptarë të paaftë për kompromis

ARVIZU2Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka sulmuar ashpër klasën politike shqiptare. Gjatë një vizite në qytetin e Fierit, ku pa nga afër situatën parazgjedhore në këtë qytet, ambasadori Arvizu iu rikthye edhe një herë ngërçit të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke lënë mënjanë tonet diplomatike, Arvizu deklaroi se politikanët shqiptarë nuk janë të aftë për të dialoguar mes tyre në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje.
Deklarata
Mendoj që kemi folur gjerësisht lidhur me shqetësimet për KQZ. Është vërtet për të ardhur keq që KQZ nuk është konstituuar plotësisht dhe kjo nuk ndihmon në zhvillimin e proceseve zgjedhore siç janë skicuar për të funksionuar. Nuk është asnjëherë vonë. Supozoj që duhet të ketë një vullnet nga partitë politike që të gjendet një mënyrë që KQZ të jetë e konstituuar. Të gjitha palët duhet të bëjnë kompromis nga pak dhe udhëheqësit shqiptarë duket se janë të paaftë për ta bërë ketë gjë, u shpreh ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Debati
Në vijim të deklaratës së tij, ambasadori Arvizu u ndal edhe tek debati i organizuar nga ambasada amerikane në Fier mes grave të forcave politike. Sipas ambasadorit, votuesit në demokraci duhet të jenë të informuar dhe për këtë kanë nevojë të dëgjojnë nga kandidatët qëndrimet e tyre për çështje të caktuara. Dëshiroj të falenderoj pjesëmarrësit, sepse debati është i rëndësishëm. Stili i këtij lloji debati është ndryshe nga ai që audienca shqiptare është mësuar, por është diçka që votuesit amerikan presin, por qartazi që Shqipëria nuk është Amerikë. Besoj se në çdo demokraci votuesi duhet të jetë i informuar dhe për ta bërë këtë është e rëndësishme të dëgjohet nga kandidatët në mënyrë të drejtpërdrejtë se cili është qëndrimi i tyre për çështje të caktuara, u shpreh ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Prej tre muajsh tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon punën me katër anëtarë pas largimit të anëtarëve të opozitës. Prej kohësh tashmë ambasadori amerikan në Tiranë por edhe përfaqësues të tjerë të huaj në vendin tonë kanë bërë apel për zgjidhjen e ngërçit në KQZ, por duket se partitë politike shqiptare janë ende larg zgjidhjes.

Wollfarth: Dialog për të ndërtuar
besimin dhe ligjshmërinë e KQZ
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Eollfarth në një intervistë për Deutsche Welle flet për situatën parazgjedhore në vendin tonë. Padyshim, është e parapëlqyeshme, madje e detyrueshme, nga aspekti teknik dhe politik, që KQZ-ja të jetë e plotë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në ndërtimin e një demokracie akoma më të fortë në Shqipëri. Prandaj, puna jonë në trajnimin e zyrtarëve të administratës zgjedhore, të policisë dhe në mbështetjen e edukimit të zgjedhësve po vijon e papenguar, shprehet ambasadori Wollfarth. Në vijim, kreu i OSBE në vendin tonë thotë se buhet dialog për të ndërtuar besimin dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Nevojitet dialog dhe ndërveprim mes partive politike për të ndërtuar besimin dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ne e kemi mbështetur funksionimin profesional të KQZ-së që nga krijimi i saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Lejomëni të ritheksoj: efekti i ndihmës teknike që i japim KQZ-së nuk ndikohet negativisht nga ngërçi. Gjithsesi, unë do t’u bëja thirrje partive politike të heqin dorë nga zëvendësimi i vazhdueshëm i anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të trajnuar nga KQZ-ja, pasi kjo mund të ketë një ndikim negativ serioz në punën e paanshme dhe profesionale të këtyre komisioneve, deklaroi ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth.

Holtkemper: Funksionimi i KQZ
me 4 anëtarë është problematik
Ambasadorja gjermane, Carola Müller-Holtkemper në një intervistë për Deutsche Eelle e quan problematike situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas saj mungesa e opozitës në këtë komision por edhe mos marrja e disa vendimeve për shkak të mungesës së anëtarëve janë disa nga problemet kryesore që shfaqen në këtë institucion. Në këndvështrimin tonë një KQZ me vetëm katër anëtarë, në vend të shtatë, është problematik për shumë arsye: Jo vetëm për faktin se opozita nuk është e përfaqësuar në KQZ dhe që katër persona duhet tanimë të ndajnë punën e shtatë vetëve – por vështirësia kryesore qëndron para së gjithash në faktin, që disa vendime të caktuara të KQZ, përfshirë këtu vendimin zyrtar për rezultatin përfundimtar dhe shpërndarjen e mandateve kërkojnë një shumicë të cilësuar. Do të shihet më tej, a do ta dëmtojë ky aspekt realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare, dhe eventualisht deri në çfarë mase. Në muajin shtator, në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet për Bundestag-un Gjerman. Nëse dikush do të më pyeste për emrin e kryetarit të komisionit të zgjedhjeve federale, do të më duhej ta gjeja në faqen zyrtare të këtij të fundit. Realizimi i zgjedhjeve duhet të jetë, pra, një çështje thjeshtë dhe vetëm teknike, shprehet ambasadorja Holtkemper.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›