Arvizu takon Bashën, mbështet projektet e Bashkisë si dhe i përsërit thirrjen klasës politike për realizimin e reformave të integrimit

Arvizu: SHBA mbështet projektet e Bashkisë së Tiranës. Basha: Qeverisje efikase dhe transparente në shërbim të qytetarëve të Tiranës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin mbështetje të plotë për Bashkinë e Tiranës dhe projketet e saj, për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Garancinë e shprehu sot ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një takimi të posaçëm që zhvilloi në Tiranë me kryebashkiakun, Lulzim Basha. Duke folur për mediat pas takimit, kryediplomati amerikan tha se me Bashën ka biseduar për mënyrat sesi mund të përmirësohet jetesa e qytetarëve në kryeqytet. “Sepse ajo që paraqet rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është jeta e qytetarëve”- tha Arvizu. Nga ana tjetër, përfaqësuesi zyrtar amerikan në vendin tonë, tha se paraqitet me rëndësi që të përkrahen reformat dhe të ecet përpara. E sipas tij, kjo duhet që të jetë një përpjekje kombëtare. “U përket aktorëve kryesorë politikë në vend që të kenë vullnetin dhe angazhimin për të mundur ta realizojnë këtë gjë. Si edhe qytetarëve të vendit tuaj, që t’ua kërkojnë atyre ta bëjnë një gjë të tillë”- përfundoi Arvizu.
Lulzim Basha: Bashkia do jetë në shërbim të qytetarëve të Tiranës
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha garantoi sot ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, se Bashkia e Tiranës do punojë me transparencë të plotë dhe do jetë në shërbim të qytetarëve të vet. Sipas kryebashkiakut Basha, kjo do jetë motoja e punës së tij, gjatë drejtimit 4-vjecar të bashkisë më të mdhe në vend. “Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve mbetet prioriteti i punës sonë”- u shpreh Basha. Duke shtuar se për këtë objektiv të rëndësishëm, ai mori edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pohuar kjo nga ambasadori Arvizu. “E informova ambasadorin për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë. Kërkova dhe mora mbështetjen e z.Ambasador, nëpërmjet programeve të Ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha. E falënderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm, midis Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila po kështu, në vetvete dhe me të gjithë stafin e saj është një nga rezidentët e qytetit tonë”- deklaroi kryebashkiaku Basha, duke iu referuar takimit të zhvilluar me ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu.
...