As. Prof. Dr. Bashkim Elbasani, “Nder i qytetit të Krujës”, nderim për vlerat në shërbim të dijes dhe shoqërisë

I vlerësuar nga emrat më të shquar akademikë për nivelin e lartë të metodikës së mësimdhënies përgjatë mbi 54 viteve të karrierës, duke vendosur standardin kombëtar të ndërtimit dhe pajisjes së kabineteve matematike në nivel kombëtar, autor i dhjetëra teksteve të matematikës dhe drejtues trajnimesh pedagogjike në të gjithë Shqipërinë, as. prof. dr. Bashkim Elbasani është vlerësuar në qytetin e tij të lindjes, në një ceremonial solemn, me titullin “Qytetar Nderi i Krujës”, me motivacionin për kontribut të shquar në arsim dhe qytetari.
Nënkryetarja e bashkisë së qytetit, Yllka Sheta, ka vlerësuar kështu figurën e profesorit:
“Dhënia e titullit qytetar nderi për profesor doktor Bashkim Elbasanin nuk është thjesht një vlerësim institucional, por një shenjë mirënjohje e thellë njerëzore për kontributin e tij të vyer ndër vite. Faleminderit. Titull është një simbol modest përballë kontributit tuaj të madh, por është një dëshmi se qyteti ynë di t’i vlerësojë njerëzit që lënë vlerën në formimin e brezave”, tha Sheta.
Karriera akademike, e ushtruar që nga gjimnazi i qytetit, në UB, UFO University, Turqi, Kolegji i Tekirdağ TBU, Universitetin Planetar etj., vijon të vlerësohet maksimalisht edhe në moshën e pensionit në Akademinë e Forcave të Armatosura, Fakulteti i Teknologjisë së Inovacionit, nga rektori, Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredini.
“Profesor Bashkimi përfaqëson më së miri figurën e intelektualit që profesionin nuk e sheh si detyrë, por e sheh si mision. I dashur profesor Bashkimi, në emër të Akademisë Forcave të Armatosura, ju shprehem mirënjohjen më të thellë. Ju jeni dhe do të mbeteni një shembull frymëzimi për të gjithë ne dhe për brezat që vijnë”, tha Nuredini.
Që nga “Metodika e trajtimit të teoremës”, “Lojëra dhe rebuse matematike”, botime të matematikës në vite të ndryshme, Algjebra, Biostatistika, Gjeometria Analitike dhe Plane, Logjika Formale, Calculus etj., autor dhe bashkëautor studimesh shkencore, shpërblimin e vërtetë profesori e ka ndjerë në suksesin e vetë studentëve të tij.
“Më është shpërblyer realisht. Këtë vlerësim nga nxënësit, unë e quaj themelor. Ndërsa vlerësimi i sotëm për mua është qershia mbi tortë. Ju falënderoj shumë për këtë nder të madh. Kur të nderon qyteti i lindjes, për mua, ky është vlerësimi më i madh. Faleminderit”, tha profesor Bashkimi.
Atmosfera e festës mes miqve, kolegëve dhe familjarëve është plotësuar nga tingujt e Albanian Folk Show.
Gazetare. E. Elbasani
/rtsh.al/