E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS, sot miratohen kriteret per kandidatet

Pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë janë fiksuar kohë më parë nga kryetari Edi Rama, sigurisht në bazë të disa kritereve që janë shkruar më vonë në fakt në letër 

TIRANE-Asambleja Kombëtare e PS-së miraton sot kriteret e përzgje-dhjes së kandidatëve për deputetë. Megjithëse lista e kandidaturave është tashmë e plotësuar, forumi i lartë socialist pritet të miratojë sot, thjesht formalisht edhe kriteret, rregull ky që buron nga statuti i PS-së. Pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë janë fiksuar kohë më parë nga kryetari Edi Rama, sigurisht në bazë të disa kritereve që janë shkruar më vonë në fakt në letër. Disa nga kriteret më kryesore kanë të bëjnë me arsimin e lartë, titujt shkencorë, integriteti moral, mbështetja që gëzon në komunitet, etj. Sipas rendit të ditës të miratuar nga kryesia, Asambleja Kombëtare do të diskutojë edhe mbi tezat kryesore të programit. Nuk dihet nëse sot, në mbledhjen e Asamblesë do të ketë shprehje pakënaqësish për listat. Deri më tani kreu i PS-së, Rama i ka thirrur një e nga një pothuaj të gjithë deputetët aktualë të Kuvendit dhe shumicës i është konfirmuar rikandidimi. Rama është konsultuar me ta edhe për emra të rinj, por ka edhe nga ata deputetë të vjetër që nuk do ta gjejnë emrin në listën e kandidatëve. Në asnjë pikë të rendit të ditës nuk është përcaktuar ndonjë moment ku mund të diskutohet për emrat e kandidatëve.
Asambleja Kombëtare duhet të caktojë sot edhe datën për mbledhjen e Kongresit të partisë. Ky kongres parazgjedhor pritet të miratojë edhe programin qeverisës dhe listat e kandidatëve, të paktën nga ajo çfarë deklarohet nga drejtuesit socialistë. Kongresit do t’i mbetet të japë OK-in për aleancat me partitë që do t’i bashkohen PS-së në këto zgjedhje dhe më pas, edhe në qeverisje.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›