E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja i krediton Edvinit një tjetër mandat agonie

03-07-2011 / Redaksionale

Seanca e dytë e mbledhjes së Asamblesë Socialiste prodhoi shndërrimin e radhës të Edi Ramës drejt zgjedhjeve parlamentare të 2013. Strategjia e bojkotit sistematik parlamentar dy vjeçar është hedhur tashmë në koshin e historisë, për të nisur kështu në vjeshtë me një strategji të re. Sigurisht duhet thënë se strategjia radikale dhe agjenda konfliktuale dy vjeçare (2009-2011) e Partisë Socialiste, pavarësisht angazhimit të shumë energjive e të investimit financiar prodhoi jo vetëm shumë pak kapital politik, por edhe humbje besueshmërie në faktorin ndërkombëtar.
Sakaq edhe bilanci politik duket tepër i vakët kur mendon se bojkoti parlamentar, protestat në të gjithë Shqipërinë, greva e urisë përpara kryeministrisë, demonstratat e dhunshme dhe funebre në bulevard pollën veçse një rikonfirmim të disa bashkive socialiste në zgjedhjet afatmesme, që janë zgjedhjet lokale të 8 majit. Padyshim humbja e katërfishtë e  Tiranës, në kandidat, në këshill bashkiak, në minibashki dhe në këshillin e minibashkive përkthehet me një tkurrje shqetësuese prej 21 mijë votash në katërvjeçarin e fundit të Ramës, në krye të bashkisë Tiranë. Humbja me 91 vota ndaj Lulzim Bashës në kryeqytet e ka çuar Ramën të reflektojë mbi strategjinë e ndjekur deri më tani. Prandaj dje Rama tha se “Partia Socialiste do të jetë në Kuvend sezonin e vjeshtës, ku do të ndërmarrë nisma të rëndësishme parlamentare”. Ky ndryshim në sjellje reflekton sidozot pas humbjes që ka elektorati gri ndaj dhunës verbale e elektorale që prodhon opozita socialiste.
Kuptohet vetiu se fjalimi i djeshëm i Ramës reflektonte një ulje të tonalitetit politik, të nënshtrimit ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor, të cilës i bëri thirrje për një vendim Kushtetues, “Shpresoj që gjyqtarët të respektojnë kushtetutën, standardet ndërkombëtare”. Pak javë më parë Rama kërkonte mandatin duke shantazhuar Kolegjin se duhej drejtësi, ç’ka nënkuptonte fitoren me 10 vota, sepse kështu e kishte parë në një televizion. Kurse dje, ne, pamë sesi gjuha e kreut socialist u përthye drejt normalitetit jo vetëm parlamentar, por edhe të bërit opozitë sepse siç e tha ai “Kemi nënshkruar një pakt me qytetarët. Sezoni i ri i parlamentar duhet të jetë për ne, sezoni i nismave ligjore për afirmimin në sallën e parlamentit të atij angazhimi solemn. Ky është premtimi, që u kemi qytetarëve dhe në opozitë do ta afirmojmë, ndërsa në qeverisje do ta realizojmë”. Bukur fort.
Ky paragraf i mësipërm është sinjalizues për strategjinë që duket se do të shpaloset në vjeshtë, me 5 nëntor, ku bashkë me shirat brenda Partisë do të nisë edhe faza për pushtimin e besueshmërisë publike, ku lajtmotivi do të jetë,  jo më një kamikaz politik dhe shoqëror, por dhënia  e idesë se është pjekur, në mënyrë që të fitojë votën e qytetarëve të moderuar, pa të cilët është e pamundur të kesh një maxhorancë. Sigurisht parulla “prapaktheu” pra të radikalizmi i rrugës është e pamundur dhe bërë i papranueshëm për një serë deputetësh socialistë, po ashtu edhe për ndërkombëtar. Kësisoj lundrimi pa busull është i rrezikshëm për Ramën, që është në testin e fundit përpara se mllefi i humbjeve të një pas njëshme nuk do mund të tolerohet më me “fajin e ka Saliu”.
Sidoqoftë Ed Rama do ta ketë shumë të vështirë të ngrejë një projekt fitues, pasi burimi kryesor financiar i tij lejet e bashkisë Tiranë nuk do të jenë më pronë e klikës së ngushtë. Jo vetëm ana financiare, që sigurisht është e rëndësishme, por edhe paqëndrueshmëria personale e emocionale do të luftojnë kundër vetë Ramës. Me 5 nëntor në të gjitha pikat e basteve hapet ndeshja e Ramës me vetveten, nëse normaliteti do mund ta izolojë a-normalitetin natyror të një lideri politik, që të gjitha sipërmarrjet i ka personale. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›