Xhejms Bejkërit i dhimbset Shqipëria më shumë se socialistëve të Ramës
Mesazhi i një filoshqiptari të madh: Kolegji Zgjedhor të mos tutet nga kërcënimet!
Tani jemi në vigjilje të një ngjarjeje të madhe, historike do të thoshim pa mëdyshje. Kolegji Zgjedhor është në prag të një verdikti përfundimtar për fatet e vendit.
Pas 20 vitesh të pritjes triumfale të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejkërit, zëri i këtij amerikani që na kujton Udrou Uílsonin, thërret sërish për fatet e popullit shqiptar. Bejkëri është krenar për atë pritje spektakolare prej 300 mijë vetash, dëshmi e dashurisë së sinqertë për SHBA-të, të cilat e shprehën humanizmin e tyre ndaj popullit shqiptar, për atë kontribut të pazëvendësueshëm amerikan, - demokrat apo republikan - që shpëtuan kosovarët nga një shfarosje tërësore, të projektuar nga sadizmi i Sllobodan Millosheviçit dhe nga bandat mizore të Arkanit. Të mos harrojmë se shqiptarë janë edhe kosovarët!
Miku ynë i madh shprehet i lumturuar për atë dashuri të ndërsjellë, që e quan euforike, jo vetëm për atë grumbullim demokratësh ku s’kishte vend për të rënë kokrra e mollës, por edhe për 20 mijë të tjerë, gjatë rrugës për në Tiranë. Flasim për demokratë, sepse Ramiz Alia fliste, në atë kohë, për Shqipërinë që s’është as Lindje e as Perëndim, ndërsa vendi ynë ishte çliruar nga zgjedha komuniste e diktaturës (kurse mendësia enveriste gjallonte ende në mendjet e indoktrinuara dhe në trutë e shpëlarë, siç është e pranishme, për një paradoks të deshifrueshëm, edhe sot). Meqë tema jonë nuk shmanget dot as nga zgjedhjet, as nga R. Alia, as nga manipulimet zgjedhore, na bëhet të fusim në shkrim edhe ato “zgjedhje” që pasuan me revoltat e Shkodrës ku u vranë, me shënjim në shënjestër, katër eksponentë të Partisë Demokratike dhe u bënë invalidë të përjetshëm me dhjetëra të tjerë. Ministri i Brendshëm i kohës, G. Ruçi, doli pa lagur nga kjo plojë.
Ish-sekretari amerikan i Shtetit shpalos në këtë shqetësim për vendin tonë, fraza që duhen mbajtur vath në vesh. Citojmë: “Kandidatët në garë duhet të jenë të përgatitur që të pranojnë rezultatet e procesit”. Edhe pa e thënë këtë, miku i shtrenjtë i popullit shqiptar, kjo porosi është respektuar vetëm nga njëra palë. Ndërsa Lulzim Basha, në të gjitha daljet publike, ka thënë shkurt e qartë se “do të presim të shprehen organet kompetente ligjore, në mbarim të procesit”, nga ana tjetër E. Rama ka thënë budallallëkun e radhës se “do të vazhdojmë protestat, po s’dola unë kryetar”! Ajo shprehja “të folur të kushtëzuar” gjen domethënien e vet edhe në këtë rast: Do të bojkotojmë parlamentin në qoftë se ...”. Të gjithë propagandistët fanatikë të Ramës, pastaj, flasin në këto terma kushtëzuese!
Nga ana tjetër, jo vetëm Lulzim Basha, por edhe kryetari i partisë së tij, është shprehur se “do të respektohet vendimmarrja si në KQZ, ashtu edhe në Kolegjin Zgjedhor”.
Opozita jonë ka marrë huqet e ustait edhe në mosrespektimin e personave në detyrë, të zgjedhur edhe prej saj, me konsensus, - siç është bërë zakon të thuhet. Z. Arben Ristani është zgjedhur nga të dy palët. I teket Edvinit dhe, para se të fillojë punimet Komisioni Qendror Zgjedhor, e shpall “non grata” kryetarin e KQZ-së. Ku do të shkonim sikur edhe nga pala tjetër, për reagim, të mos pranohej zonja Dëshira Subashi?
Dje i erdhi xhevapi shkurajues Ramës dhe sejmenëve të tij, se Gjykata e Lartë e kishte hedhur poshtë padinë e E. Ramës, se na qenka fyer nga Berisha! Sa padi do të duheshin bërë kundër anarkistit S. Ngjela, që shungullon, për të kushedi të satën herë, se Berishën do ta rrëzonte brenda dy ditëve?
Po z. Ristani ç’kusur e ka që të durojë banalitet pa kripë e pa yndyrë të përmendjes së tij me “Sali Ristani?”.
Ja, etika e opozitës në këto zgjedhje, etikë i thënçin, se nuk mjaftojnë vetëm talljet, por edhe kërcënimet? Në këtë pikëpamje fushata jonë për zgjedhjet e 8 majit nuk ka qenë reversibël, domethënë nuk është zvetënuar sa që edhe pala tjetër të përgjigjej me të njëjtën monedhë.
Këto nuk thuhen për të dalë nga tema, sepse përfshihen edhe në këshillat mirëdashëse të z. Bejkër: “Më në fund jeni të lirë të keni mendimet tuaja ... Por liria funksionon më mirë kur qytetarët kanë respekt dhe zbatojnë rregullat, që sigurojnë atë kuadër ligjor në mënyrë që demokracia të jetë në këmbë”. Natyrisht zotëria fisnik flet me një gjuhë të zgjedhur, jo me gjuhën e një anarkisti “në emër të demokracisë”!
Le të shohim edhe frazën: “Ndërsa Shqipëria hyri në NATO në vitin 2009 dhe konsiderohet si një vend kandidat për anëtarësimin në BE, anëtarësimi i plotë i vendit në BE pengohet nga raportimet e shumta për keqfunksionimin politik”. Të gjithë janë të qartë, tashmë, se raportimet më keqdashëse nga ana politike vijnë nga përbrenda. Mbase kuptohet sesi u trondit zonja Tanja Fajon nga një shpifje tragjike, e cila ka mbetur ende pa u përgënjeshtruar! Këtij qëndrimi kundërshqiptar mund t’i vësh çdo cilësim pervers. Por, mbi të gjitha, assesí nuk mund të pohohet se ky mashtrim është në dobi të anëtarësimit që dëshiron z. Bejkër. Kjo mund të quhet me tamam një keqfunksionim, po të përdorim fjalën e z. Xhejms Bejkër.
Ato që thotë z. Bejkër janë mësime të vlefshme të një mirëdashësi. Ai shprehet edhe kundër zgjedhjeve të reja: “Njëri ndër kandidatët do të fitojë, tjetri do të humbasë. Dhe nuk është aspak e përshtatshme që, në këtë rast,të hidhen poshtë rezultatet dhe të mbahen zgjedhje të reja”. Duke dhënë shembullin e kompeticionit “Bush-Gore”, ai thotë se Gjykata e Lartë vendosi në favor të Bushit. Dhe vazhdon: “Gore mund ta kishte kontestuar rezultatin dhe ta kishte çuar qeverinë amerikane drejt kaosit. Por ai nuk e bëri këtë”. Jep edhe një fjali, që ka vlerën e një sentence: “Të dy kandidatët, Bushi dhe Gore, e kuptonin se historia do t’i gjykonte ashpër nëse do të vendosnin interesin personal mbi atë kombëtar”. Por, në rastin tonë, të gjithë e kuptojnë se interesi personal i Ramës as që do t’ia dijë sesi mund ta gjykojë historia!
Kësisoj, mesazhi i Bekërit është edhe një thirrje ndaj Kolegjit Zgjedhor për të zbatuar ligjin (që është në pajtim me interesin kombëtar) dhe për t’u bërë qëndresë kërcënimeve (që janë, në fakt, antiligjore), pa u trandur nga sugjestionet.