Asfaltohet rruga e Kurilës, investimi 1.2 kilometra lidh fshatin me qendrën administrative

Po shkon drejt përfundimit asfaltimi i rrugës që lidh aksin Vishocicë-Braçanj me fshatin Kurilë në Bashkinë Devoll. Investimi po kryhet me fondet e bashkisë dhe përshin rrugën me një gjatësi prej rreth 1.2 kilometrash, që lidh fshatin me qendrën administrative dhe përmirëson ndjeshëm aksesin e banorëve si dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të fshatit.
“Është një investim që përmirëson jetën e fshatit, banorëve të atij fshati dhe lidhjen sa më shpejt me qendrën e bashkisë apo me qendrën e njësisë administrative. Është një investim që përballohet me të ardhurat e bashkisë dhe kushton rreth 400.000 mijë euro dhe shpresojmë që atyre banorëve kjo rrugë t’iu ndryshojë mënyrën dhe standartin e jetesës”, deklaroi Eduard Duro, Kryetar i Bashkisë Devoll.
Ky investim është konsideruar i domosdoshëm nga banorët për lehtësimin e lëvizjes dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Bashkia Devoll vijon investimet në infrastrukturën rrugore rurale, me asfaltimin e rrugëve që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative. Ndërhyrjet synojnë përmirësimin e aksesit, shërbimeve dhe cilësisë së jetës për komunitetet e zonave rurale.
/RTSH/