E Enjte, 5 Nëntor 2026

Asgjësohen 24 759 bimë narkotike në Velipojë, procedohen 2 punonjës të OSHEE

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Policia ka asgjësuar në Velipojë, 24 759 bimë kanabisi në kuadër të megaoperacionit policor kombëtar të koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjithashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 shtetas (vëllezër), të dyshuar si autorë të kultivimit të këtyre bimëve.

Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, 2 punonjës të OSHEE-së.

Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit 1 rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike, në Velipojë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe me Komisariatin e Shkodrës, në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, gjetën dhe asgjësuan 24 759 bimë kanabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. N., 30 vjeç, P. N., 36 vjeç, dhe L. N., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Rrjoll;

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. Sh., 61 vjeç, dhe P. M., 61 vjeç, të dy banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që ishte krijuar për këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›