E Enjte, 5 Nëntor 2026

Asgjësohen bimë narkotike në Kukës, shpallen në kërkim 4 shtetas

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ 143 bimë narkotike cannabis sativa janë asgjësuar në Kukës si dhe janë shpallu në kërkim 4 shtetas në kuadër të operacionit të koduar “Territor i pastër”.

Gjithashtu janë sekuestruar 1 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve.

Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjeve, për moskallëzim krimi dhe për shpërdorim detyre.

Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë gjetur të mbjella në fshatin Tejdrinë, 143 bimë narkotike.

Nga hetimet e kryera janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij rasti kultivimi, shtetasit  L. M., 49 vjeç, N. M., 44 vjeç (vëllezër), si dhe djemtë e 49-vjeçarit, shtetasit A. M., 23 vjeç dhe L. M., 25 vjeç, banues në fshatin Tejdrinë. Vijon puna për kapjen e tyre.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit, shtetasin T. M., dhe për shtetasin M. M. (vëllai i shtetasve N. M. dhe L. M.) për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe për inspektorin e pyjeve, shtetasin A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›