E Enjte, 5 Nëntor 2026

Goditi me grusht inxhinierin duke e lënë të vdekur, Apeli i ul dënimin Rei Matës

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të ulë dënimin me burg të Rei Matës, nga 2 vite e 3 muaj burg, në 18 muaj burgim.

Gjykata e Apelit njoftoi sot se ka shqyrtuar kërkesën Rei Matës, i cili u dënua nën akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” me 2 vite e 3 muaj burg, për ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit të kaluar në një kancelari, ku grushtoi inxhinierin Armand Meshaut, i cili për pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, ndaj këtij vendimi kanë ushtruar ankim trashëgimtarët e viktimës të të ndjerit Armand Meshaut, të cilët janë shprehur që në lidhje me cilësimin juridik të veprës penale, kjo gjë është në kompetencë të gjykatës dhe organit të procedurës dhe nuk paraqesim pretendime. Trashëgimtarët e viktimës i kanë normalizuar marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe nuk kanë pretendime për vendimet e gjykatës dhe mosmarrëveshjet civile do t’i zgjidhin me mirëkuptim me njëri-tjetrin, ose në rrugë gjyqësore civile.

Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Genti Xholi, gjatë gjykimit, në seancë gjyqësore parashtroi se: Qëndrimi, cilësimi juridik dhe lloji i dënimit është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi, për sa i përket masës së dënimit e lë në vlerësimin të gjykatës.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 10.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me relatore gjyqtare znj. Diamela Goxha dhe anëtare znj. Valdete Hoxha dhe z. Qemal Zaimi, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr.151 datë 20.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë sa i takon cilësimit juridik të veprës penale dhe fajësisë së të pandehurit Rei Mata. Ndryshimin e vendimit sa i takon masës së dënimit duke u dënuar i pandehuri R. M me 2 vjet e 3 (tre) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim. Mospranimin e ankimit të paraqitur nga trashëgimtarët e viktimës për mungesë legjitimimi.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›