Ashton- Fyle, deklaratë mbi situatën në Shqipëri
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle janë shprehur mbi situatën aktuale në Shqipëri. Në deklaratën e tyre theksohet se të dy përfaqësuesit kanë vëzhguar shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
"Ne kemi mbajtur shënim që çështja e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota "të hedhura gabimisht", është një çështje që përbën shqetësim. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende".
Më tej qëndrimi i dyshes Ashton-Fyle vijon duke thënë se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR.
Theksohet se, BE pret qe procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente si dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Sipas deklaratës së përfaqësuesve të Bashkimit Europian theksohet se për ato çështje të cilat kërkohet një interpretim i ligjit kërkohet zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme, duke iu bërë apel që për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakord se si ta trajtojnë çështjen e votave "të hedhura gabimisht".
Në deklaratë theksohet se për çështje që janë shumë të debatuara si vendimet e KQZ-së duhet të kërkohet këshillim i pavaruar nga jashtë. Në mbyllje të deklaratës, dyshja Ashton -Fyle thekson se interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit europian duhet të mbizotërojë para interesave partiake.