E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë gjurmë nga Jurgen Karaj prej 27 ditësh, Vengu dhe ministri i Kosovës ndjekin nga afër operacionin: Nuk do reshtim kërkimet

Prej 27 ditësh vijon operacioni për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të lumit Mat në datën 10 Janar, pas një aksidenti që pësoi mjeti në të cilin udhëtonte drejt banesës, bashkë me 24-vjeçarin Andi Losha. Ky i fundit arriti të dilte nga mjeti.

Në operacionet e kërkimit janë forcat tona të Armatosura dhe Njësia Speciale e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Për të ndjekur nga afër operacionin, të pranishëm ishin Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vëngu dhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Pas një takimi me familjarët e Jurgen Karjat, Ministri Vëngu tha se operacioni do të vijojë. Së fundmi është gjetur një kartë identiteti, të cilën 30-vjeçari Jurgen Karaj e mbante me vete.

“Jemi në ditën e 27-të të operacionit të kërkim shpëtimit, që nga sinjalizimi në orët e para të mëngjesit të datës 10 janar, ku shtetasi Jurgen Karaj si pasojë e një aksidenti të rënies së automjetit në lumin Mat, u sinjalizua si i zhdukur. Që nga data 27 ne patëm komunikim me homologun Maqedonci, që na bashkohet sot, dua ta falënderoj. Janë përqendruar 82 forca në këto momente dhe mjete teknologjike. Është gjetur karta e identitetit të babait të të ndjerit. Është operacion i vështirë. Nuk do ta reshtim operacionin.”, theksoi Vengu.

Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci deklaroi se ekipi special i FSK do të jetë krah forcave të armatosura të Shqipërisë deri në fund të këtij operacioni.

“Ne jemi pranë jush. Ky operacion është në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve tona. FSK ka zbarkuar këtu me një njësi të specializuar, me sppecialistë të kërkim-shpëtimit, me skaner dhe kamera dhe bashkë me forcat shqiptare janë duke vazhduar kërkimet për gjetjen e personit të humbur”, tha ministri.

Kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt po bëhen në të gjithë rrjedhën e lumit të Matit si dhe në liqenin e Ulzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›