E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Asnjë marrëveshje Serbi-Kosovë për reciprocitetin, Vuçiç vendos kushte: Të specifikohet që nuk njihet pavarësia

Kur ndajnë vetëm 3 ditë në zbatimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat dhe lëshimin e dokumenteve për serbët, mes Serbisë dhe Kosovës një marrëveshje duket ende e largët.

Teksa çështjen e targave e cilëson të vështirë dhe pa marrëveshje, presidenti serb Aleksandër Vuçiç vendos kushte për marrëveshjen e dokumenteve të lëshuar për serbët, ku sipas tij duhet të theksohet se nuk njihet pavarësia e Kosovës.

Sipas Vuçiç serbët që jetojnë në Kosovë të përjashtohen nga vendimi për dokumentet serbe, ndërsa vendosi kushte për të pranuar dokumentet e Kosovës nga Beogradi.

“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim. Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi. Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta. Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiç.

 Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiç tha se ato mund të lëshohen, pasi është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara. Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiç.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›