Asociacioni, në kundërshtim me konventën e BE-së

Arritja eventuale e marrëveshjes ndërmjet kryeministrit të Kosovës. Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq, për zgjidhjen e problemit të veriut të vendit, gjegjësisht kompromisin për krijimin e një asociacioni të komunave veriore, që në njëfarë formë është një “mini- kuvend” është në kundërshtim jo vetëm me legjislacionin vendor, por edhe me atë të Bashkimit Evropian.
Krijimi i këtij asociacioni pos që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Ahtisarit, është në kundërshtim edhe me Konventën e BE-së për vetëqeverisje lokale, mbi bazën e të cilit krijohen asociacionet.
Zyrtarë të Asociacionit të Komunave të Kosovës thonë se krijimi i një strukture vendimmarrëse të veçantë, pra një Kuvendi rajonal vetëm për serbët, që tani po e fshehin nën emërtimin ‘asociacioni i komunave veriore’ nuk është ide e plasuar në bisedimet e fundit Kosovë-Serbi, por është një iniciativë që Evropa e ka shprehur shumë më herët, qysh para bisedimeve në Vjenë, 2006-2006.
Sazan Ibrahimi nga ky asociacion ka thënë se Kosova ka dy nivele, atë lokal dhe atë qendror, dhe nuk ekziston niveli i mesëm, ngase sipas tij, ai nivel nuk lejohet as me Kushtetutën e Kosovës, as me Ligjin për vetëqeverisje lokale e as me pakon e Ahtisaarit, e madje as me kartën evropiane për qeverisje lokale, mbi bazën e të cilit krijohen asociacionet.
Në bisedimet Kosovë - Serbi, së fundi është raportuar se është marrë vendim për krijimin e një asociacioni të komunave veriore, vendim ky që pritet të finalizohet në takimin e ardhshëm mes dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, më 4 mars.
Por, tashmë është shfaqur rreziku se emërtimi ‘asociacion i komunave veriore’, apo siç po quhet edhe ndryshe ‘bashkësia e komunave serbe’, është vetëm mbulesë e asaj që vërtet Evropa po i ofron serbëve, e që është një Kuvend rajonal, me kompetenca ekzekutive.
Zyrtari i AAKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se asociacionet krijohen në bazë të kartës evropiane për vetëqeverisje lokale, dhe se sipas tij, kjo kartë nuk u jep kompetenca që po duan t’i japin të ashtuquajturës ‘asociacion’ për komunat veriore.
“Kjo i bie që Brukseli po bie ndesh dhe po shkel vetë Kartën evropiane për qeverisje lokale, e cila sqaron rolin e asociacionit mbi të cilin funksionojmë edhe ne si asociacion edhe të gjitha asociacionet në Evropë. Prandaj, shtrohet pyetja se pse Brukseli po dëshiron që vetëm në Kosovë të mos respektohen këto të drejta”, tha Ibrahimi.
Ndonëse po flitet vetëm për komunat veriore serbe, Beogradi është në përgatitje të planit për përfshirjen e të gjitha komunave serbe në Kosovë, në një bashkësi të vetme me kompetenca ekzekutive.
Gazeta “Novosti” në Beograd ka shkruar dje se kryeministri serb, Ivica Daçiq është në përgatitje të një plani të tillë për nëntë komunat serbe në Kosovë, i cili do të i paraqitet Brukselit dhe palës kosovare në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, më 4 mars.
Pal Lekaj, anëtar i bordit në AKK, dhe njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, gjithashtu shpreh shqetësimin se me këtë paralajmërim po shkojmë drejt krijimi të dy sistemeve, njëri prej tyre sistem paralel i asociacionit të komunave. “Nëse Evropa po thirret në vlerat e demokracisë, kjo është e kundërta e saj, është diçka që e bën jofunksional sistemin e vetëqeverisjes lokale. Rreziku është permanent se gjërat vërtet po shkojnë në këtë drejtim, andaj duhet të jemi vigjilentë që të mos lejojmë në gjë të tillë”, u shpreh Lekaj, i cili shtoi se Brukseli derisa po e bën një gjë të tillë për ta shpërblyer Serbinë, të njëjtën kohë po krijon destabilitet te shqiptarët.
Por, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës insistojnë se bëhet fjalë për krijimin e një asociacioni vetëm për komunat veriore, i bazuar në pakon e Ahtisaarit.
“Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Veri, është në harmoni me pakon e Ahtisaarit, dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën e vendit”, është deklaruar për Radio Kosovën, kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrami.
Por sikur kjo të jetë e vërtetë atëherë nuk do të ishte bërë temë me kaq rëndësi të madhe, thotë Sadri Ferati, deputet i LDK-së, dhe ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
”Vetë fakti që po i jepet kaq shumë rëndësi këtij asociacioni, krijimi i së cilës lejohet edhe me pakon e Ahtisaari dhe ligjet e Kosovë, tregon se diçka nuk është në rregull”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, duhet të pritet se cili do të jetë vendimi final, por në rast se kalohen kompetencat që i ka një asociacion sipas ligjeve, kjo do ta dëmtojë Kosovën në afat të gjatë, dhe atë në dy drejtime.
“Fillimisht nuk do të vlejë më ideja e integritet të asaj pjese të Kosovës, dhe e dyta prapë do të vijë në shprehje ai nacional-romantizmi dhe si i tillë serbët do të marrin vendime të tilla duke u bërë pengesë e vazhdueshme e Kosovës”, u shpreh ai.
Ndryshe, përkundër insistimit të gazetës për të marrë një përgjigje nga zyra e baroneshës Ashton në Bruksel, nuk ka arritur.
Bojan Stojanoviq, kryetar i Graçanicës, tha për “Zëri’, se nëse asociacioni i paralajmëruar për komunat veriore, tejkalon kompetencat e asocacionit të komunave të Kosovës, do të jetë në dobi të serbëve atje.
Por i pyetur nëse kjo të njëjtën kohë dëmton qeverinë e vendit, dhe krijon një Republika Srpska’, sikur në Bosnjë, Stojanoviq tha: “Një gjë e tillë ndoshta do të ndodhte më herët, para pakos së Ahtisaarit, por tani nuk e besoj”./Indeksonline/